Rama për “TV5 Monde”: Shpresojmë në hapjen e grupkapitullit të fundit me BE, do të ishte rekord absolut sa i takon shpejtësisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Paqes të organizuar nga Presidenti francez Emmanuel Macron, zhvilloi një intervistë në kanalin francez “TV5 Monde”, ku u ndal për disa çështje kyçe, duke filluar nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Procesi i zgjerimit të BE-së
Lidhur me rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit, Rama shprehu optimizëm për ritmin e shpejtë të negociatave.
“Jemi në negociata. Kemi hapur 5 nga 6 grup-kapitujt dhe shpresojmë të hapim edhe të gjashtin, që do të ishte një rekord absolut sa i takon shpejtësisë,” deklaroi Rama. Ai shtoi se lufta në Ukrainë ka nxitur një “zgjim” të Evropës, duke treguar nevojën për një kontinent më të bashkuar dhe më të fortë.
Ministrja e IA-së
Gjatë intervistës, Rama iu përgjigj edhe pyetjes mbi emërimin e ministres së parë të Inteligjencës Artificiale (IA), Diella. Kryeministri sqaroi se Diella është “shtatzënë me 83 këshilltarë, djemtë dhe vajzat e saj të ardhshme,” të cilët do të shërbejnë si asistentë për grupin parlamentar. Ky i fundit përbën një projekt pilot për krijimin e një parlamenti të mbështetur nga inteligjenca artificiale.
Investimi i Jared Kushner në Sazan
Kreu i qeverisë dha detaje edhe mbi investimin strategjik në ishullin e Sazanit, nën zhvillimin e kompanisë së Jared Kushner. Rama e përshkroi projektin si një risi të madhe për rajonin e Mesdheut.
“Mund t’ju them se projekti po përmirësohet çdo ditë, dhe nëse arrijmë ta zbatojmë ashtu siç ne e kemi parashikuar, do të jetë një risi absolute për Mesdheun dhe një model për t’u ndjekur për sa i përket qëndrueshmërisë,” u shpreh Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




