Rama: Shqipëria po punon me arkitektët më të mëdhenj për të sjellë më shumë hapësira të gjelbra dhe peizazhe të mbrojtura

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me gazetarë dhe përfaqësues të mediave nga vendet e Bashkimit Europian, ku u pyet për investimin në Zvërnec dhe për protestat në vend.
Rama ka theksuar se projektet e reja urbane dhe mjedisore në vend synojnë të sjellin më shumë hapësira të gjelbra dhe të mbrojtura, duke i dhënë qyteteve një dimension të ri ekologjik.
“Kushti për projektin është fakti që për të pasur më shumë hapësira të gjelbra se sa përpara, si do të ndiheshit ju me këtë? Çfarë do të thonit?” – u shpreh Rama, duke nënvizuar se natyra dhe zhvillimi nuk janë kundërshtarë, por mund të bashkëjetojnë.
Ai shtoi se Shqipëria po punon me ekspertët më të mirë ndërkombëtarë “Po sikur t’ju them që ne po punojmë me arkitektët më të mëdhenj të peizazhit, me urbanistët më të mirë dhe me inxhinierët më të mirë mjedisorë. Ka një ekip shumë të madh që po punon për këtë projekt dhe ky do të jetë një tjetër provë – ndoshta prova më e mirë e mundshme – që natyra dhe zhvillimi bashkëjetojnë.”
Në aspektin ekonomik, Rama kujtoi se kur mori detyrën si Kryeministër, prodhimi i brendshëm bruto ishte më pak se 10 miliardë euro, ndërsa sot ka arritur në rreth 27 miliardë. “Në vitin 2030 duam ta arrijmë 35 miliardë. Këtë nuk do ta bëjmë përmes karboneve, sepse Shqipëria është 100% me energji të ripërtëritshme. Nuk kemi energji fosile, nuk kemi gaz. Ne kemi energji hidrike dhe diellore. Shqipëria 2028 do të jetë eksportuese neto e energjisë së gjelbër. Nuk do të kemi nevojë të importojmë energji nga askush.”
Duke iu referuar debatit publik mbi vizitat e Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Shqipëri, Rama tha “Arsyeja pse u bë gjithë kjo zhurmë është mbiemri Trump. Por kjo nuk ka të bëjë me Donald Trump. Kur Jared Kushner dhe Ivanka Trump erdhën në Shqipëri, për mua ata ishin investues amerikanë që pyesnin nëse mund të kishin një shans për të investuar këtu.”
Ai shtoi “Një herë më thonë jam njeriu i Soros, një herë më thonë i Kushner. Unë jam thjesht Kryeministri i Shqipërisë që dua që të gjithë të vijnë, të investojnë këtu dhe të jenë miqtë e këtij vendi.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




