Reforma e ‘Taksës mbi Ndërtesën”, ministria e Financave propozon metodologji të re, publikohen çmimet referuese, efektet financiare të pritshme 2.6 miliardë lekë

Financë | 1 vit më parë

Ministria e Financave ka prezantuar një projektvendim të rëndësishëm që synon reformimin dhe konsolidimin e sistemit të taksimit mbi ndërtesat në Shqipëri.

Ky projekt-akt, i cili hyn në fuqi më 1 janar 2026, sjell një metodologji të re për përcaktimin e vlerës së taksueshme të ndërtesave dhe përditëson çmimet mesatare referuese për metër katror, duke i afruar ato me çmimet reale të tregut. Qëllimi, siç shpjegohet edhe në relacionin shoqërues, është “rritja e të ardhurave vendore dhe garantimi i një sistemi më të drejtë, efikas dhe transparent”.

Sfida e taksës aktuale mbi pronën

Taksa mbi pasurinë e paluajtshme konsiderohet një nga burimet kryesore të të ardhurave vendore në shumë vende, por në Shqipëri ajo mbetet nën potencialin e saj.

“Me vetëm 0.3% të PBB-së, të ardhurat nga kjo taksë janë dukshëm më të ulëta se mesatarja rajonale (0.8%) dhe e vendeve të OECD-së (1.1%). Bashkitë përballen me mungesën e rritjes së këtyre të ardhurave, pavarësisht rritjes ekonomike dhe urbanizimit.”, nënvizohet në relacion, shkruan rtsh.al.

Raporte nga FMN dhe partnerë të tjerë kanë theksuar vazhdimisht nevojën për një reformë gjithëpërfshirëse të taksës mbi pronën, jo vetëm për të rritur të ardhurat, por edhe për të siguruar barazi, efikasitet dhe transparencë.

Sipas Financave, ndonëse që prej vitit 2018 taksa mbi ndërtesën llogaritet bazuar në vlerën e saj (ad valorem), sistemi aktual vazhdon të përballet me sfida, të cilat lidhen me paqartësi rregullatore, mungesë të dhënash cilësore dhe praktika të paunifikuara.

Thjeshtësim dhe rritje të ardhurash

Ky projektvendim duket se është faza e parë e një plani ambicioz për reformimin e taksimit të pasurive të paluajtshme dhe synon të arrijë disa objektiva kyçe: thjeshtimi i rregullave dhe procedurave ekzistuese; eleminimi i paqartësive, kundërshtive dhe dykuptimësive në legjislacion; rregullimi i aspekteve të parregulluara të administrimit të taksës; shtimi i prezumimeve të reja për të taksuar sa më shumë njësi ndërtese për të cilat mungojnë të dhënat e nevojshme; optimizimi dhe unifikimi i proceseve kryesore të punës; stimulimi i përmirësimit të të dhënave në kadastrën fiskale; përmirësimi i barazisë dhe efikasitetit të sistemit; rritja e potencialit për gjenerimin e të ardhurave nga taksa mbi ndërtesën; përfshirja e tipareve dhe mekanizmave të sistemit të ardhshëm të taksimit.

Përditësimi i çmimeve referuese dhe metodologjia e re

Një nga ndryshimet kryesore është përditësimi i çmimeve mesatare referuese për metër katror sipërfaqe ndërtimi për banesat në qarqet Berat, Dibër, Durrës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë, Kukës, Lezhë, Shkodër, Vlorë dhe Tiranë (pa bashkinë Tiranë). Këto çmime janë përcaktuar nga një grup ndërinstitucional pune, bazuar në të dhënat e shitblerjeve të viteve 2022-2024 nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Çmimet referuese për Bashkinë Tiranë mbeten të pandryshuara.

Sipas relacionit, ndarja e zonave dhe përcaktimi i çmimeve mesatare referuese bazohet në faktorë të tillë si: të dhënat kadastrale mbi shitblerjet; struktura urbane dhe përcaktimet e planeve të përgjithshme vendore; afërsia me zonën qendrore të qytetit dhe polet e zhvillimit strategjik; afërsia me rrugët kryesore të aksesit (arteriet); afërsia me zonat historike të qytetit; për bashkitë bregdetare, afërsia me zonën bregdetare.

Të gjitha zonat e përcaktuara shoqërohen me harta përkatëse, të cilat do të publikohen edhe në format elektronik në faqen zyrtare të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) për lehtësi.

Detajet e metodologjisë së re

Metodologjia e re, e cila shoqëron projektvendimin qartëson dhe rregullon përkufizimet e termave të përdorura, kategoritë e vlerave të ndërtesave për banim, burimet e të dhënave për sipërfaqen dhe vendndodhjen e ndërtesave, si dhe prioritetin e tyre në rast mospërputhjesh, klasifikimin e njësive të ndërtesave në kategori vlerash, rregullat për vetëdeklarimin e të dhënave dhe verifikimin e tyre.

“Metodologjia e re përcakton procedurat e thjeshtuara për evidentimin në terren të ndërtesave, përcaktimin e çmimeve referuese dhe mundësinë për reduktimin e tyre nga Këshilli Bashkiak, llogaritjen e vlerës së taksueshme për ndërtesat e përfunduara dhe të papërfunduara, procedurat në rast dëmtimi të ndërtesës nga fatkeqësitë natyrore, miratimin e shkallëve të taksës dhe zonave të zbatimit, llogaritjen dhe njoftimin e taksës, duke përcaktuar qartë afatet e pagesës (dy këste të barabarta, deri më 30 qershor dhe 31 tetor, ose çdo muaj nëpërmjet agjentit mbledhës).”, thuhet në projektligj.

Ajo gjithashtu përcakton rregullat për kohën e lindjes së detyrimit në rast ndryshimesh të karakteristikave të ndërtesës, prezumimin e faktorëve të nevojshëm për të përfshirë sa më shumë njësi në bazën tatimore, si dhe rregullat për paraqitjen dhe shqyrtimin e kërkesave për korrigjim të vlerës së taksueshme dhe/ose taksës, si dhe ankimimet.

Efektet financiare të pritshme

Ky projektvendim parashikohet të sjellë efekte financiare pozitive si në buxhetin e shtetit ashtu edhe në atë të njësive të vetëqeverisjes vendore. Nga përditësimi i çmimeve referuese të banesave, vlerësohet një efekt total prej rreth 2.6 miliardë lekësh në të ardhura, prej të cilave 1.8 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastructure, 868 milionë lekë nga taksa mbi ndërtesën.

Projektvendimi është hartuar nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme