Rikthehet “Mik Festival”, Korça mirëpret edicionin e 9-të me katër net muzikë dhe art
Korça është gati të mirëpresë edicionin e 9-të të MIK Festival, një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike të verës, që nga 9 deri më 12 korrik do të sjellë në qytet artistë të njohur shqiptarë dhe ndërkombëtarë.
Për katër net me radhë, sheshe dhe hapësira të ndryshme të Korçës do të shndërrohen në skena të muzikës, artit dhe kulturës. Programi i festivalit përfshin koncerte, mbrëmje gala dhe aktivitete artistike, duke e kthyer Korçën në një qendër të rëndësishme të jetës kulturore gjatë sezonit veror.
“Hapja e Mik Festivalit do të bëhet më 9 korrik, te Hani i Pazarit, në orën 20:00, ku do të performojë Morina Trio, një trio xhaz nga Suedia. Nata e dytë e festivalit, këtë vit ndryshe nga vitet e tjera, i është kushtuar dy kineastëve shqiptarë dhe korçarë, Teodor Laços dhe Viktor Gjikës. Gjatë mbrëmjes do të ketë edhe surpriza të tjera, ndërsa disa artistë të njohur do të performojnë dhe do të ndajnë kujtime e vlerësime për këto dy figura të rëndësishme.
Një moment i veçantë i festivalit do të jetë rikthimi i këngëtares korçare Afërdita Tringovska, e cila i ka munguar skenës prej 45 vitesh. Ekskluzivisht për Mik Festivalin, ajo rikthehet për të interpretuar sërish këngën “Gjeologia”, me tekst të Todor Laços, këngë që fitoi edicionin e parë të Festivalit të Interpretuesve të Korçës”, u shpreh Aleksandwr Ikonomidhi Sulioti, Koordinator arti.
I themeluar nga sopranoja me famë botërore Inva Mula, MIK Festival është kthyer në një traditë të rëndësishme për qytetin, duke promovuar muzikën, kulturën dhe turizmin. Edicioni i nëntë pritet të tërheqë artistë dhe vizitorë të shumtë, duke pasuruar edhe këtë vit kalendarin kulturor të Korçës.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




