Rriten sërish temperaturat, zjarret djegin qindra hektarë në Europën Jugore, mijëra zjarrfikës luftë me flakët

Zjarret e mëdha që kanë përfshirë Europën Jugore kanë detyruar mijëra banorë të braktisin shtëpitë e tyre, ndërsa autoritetet kanë ndaluar praninë e spektatorëve në një etapë të Tour de France, mes paralajmërimeve se kushtet janë kthyer në një “fuçi baruti” pas valës rekord të të nxehtit në fillim të verës.
Qindra zjarrfikës po luftojnë me flakët që kanë djegur afro 20 mijë hektarë tokë në Portugali, Spanjë, Francë dhe Greqi. Meteorologët parashikojnë erëra të forta që mund të favorizojnë përhapjen e zjarreve, ndërsa temperaturat pritet të rriten sërish gjatë kësaj jave.
Në zonat kodrinore të Pirenejve francezë, pranë kufirit me Spanjën, rreth 700 zjarrfikës po përpiqen të vënë nën kontroll një zjarr jashtë kontrollit, i cili ka përfshirë 5 mijë hektarë dhe ka detyruar evakuimin e më shumë se 10 mijë banorëve.

“Mëngjesin e sotëm situata është përkeqësuar sërish”, deklaroi të hënën ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, duke shtuar se me zjarret aktive në pesë departamente, sipërfaqja e djegur në Francë këtë sezon është dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Zjarri në Pirenej pothuajse e ka trefishuar sipërfaqen e tij që nga e diela.
“Flakët iu afruan shtëpive në vetëm 300 metra. U tronditëm nga shpejtësia me të cilën u përhapën. Ishte e pabesueshme dhe krijoi panik,” tha Patrice, banor i fshatit Trévillach, për Agjencinë France-Presse.

Këto zjarre pasojnë një valë të parakohshme të nxehti në maj dhe një tjetër në qershor, e cila theu rekordet e temperaturave në Europën Perëndimore, shkaktoi mijëra vdekje shtesë dhe la sipërfaqe të mëdha toke shumë të ekspozuara ndaj zjarreve.
Grupi shkencor World Weather Attribution ka deklaruar se temperaturat ekstreme të regjistruara në qershor do të kishin qenë “praktikisht të pamundura” pa ndikimin e ndryshimeve klimatike. Këtë javë temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius në disa zona.
“Ndryshimet klimatike janë këtu. Po jetojmë pasojat e tyre dhe jemi vetëm në fillim të korrikut,” tha Eric Belgioino, shefi i zjarrfikësve në departamentin Pyrénées-Orientales. “Ky do të jetë një sezon i gjatë për ekipet që luftojnë me flakët. Kemi nevojë për ndihmën e të gjithëve.”

Prefekti rajonal, Pierre Regnault de la Mothe, urdhëroi spektatorët të mos afroheshin pranë itinerarit apo zonës së finishit të etapës së tretë të Tour de France, e cila kalon nga Spanja në Francë përmes Pirenejve. Sipas tij, në segmentin e prekur do të lejohen vetëm çiklistët dhe automjetet e domosdoshme për zhvillimin e garës.
Në anën spanjolle të kufirit, zjarri ka shkatërruar rreth 2.200 hektarë, ku 97 për qind e sipërfaqes së djegur ndodhet në zonën e mbrojtur natyrore Les Gavarres. Drejtuesi i operacioneve të zjarrfikësve katalanas, Eduard Martinez, tha se perimetri i zjarrit arrin në 40 kilometra.
Zjarrfikësit paralajmëruan se temperaturat në rritje dhe vatrat ende aktive brenda zonës së djegur do ta vështirësojnë punën e tyre, megjithatë njoftuan se zjarri është stabilizuar dhe shpresojnë ta shuajnë gjatë javës.
Në jug të Katalonjës, në provincën Castellón, më shumë se 500 persona u evakuuan pasi një zjarr u përhap në Parkun Kombëtar Sierra de Espadán.
Në rajonin Vouzela të Portugalisë qendrore, mbi 1.200 zjarrfikës, të mbështetur nga rreth 400 mjete dhe 15 avionë, po luftojnë me një zjarr që shpërtheu të enjten dhe deri të dielën kishte përfshirë 13 mijë hektarë.

Spanja dhe Italia kanë dërguar zjarrfikës dhe mjete ajrore në ndihmë, ndërsa shërbimet e emergjencës njoftuan se, megjithëse mbeten zona të rrezikshme, rreth 80 për qind e zjarrit është vënë nën kontroll. Ministri i Brendshëm i Portugalisë, Luís Neves, i përshkroi kushtet si një “fuçi baruti”.
Ndërkohë, zjarre të mëdha kanë shkatërruar qindra hektarë pyje, vreshta dhe shkurre në ishullin Hvar të Kroacisë dhe në Tale të Shqipërisë. Në Greqi, një zjarr pyjor përfshiu dy fabrika në qytetin verior të Selanikut, shkruan The Guardian.
Autoritetet greke lëshuan urdhra evakuimi për tre periferi të qytetit dhe u kërkuan banorëve të qëndrojnë në shtëpi me dyer dhe dritare të mbyllura për shkak të tymit toksik që vinte nga një fabrikë riciklimi e përfshirë nga flakët.
Një tjetër zjarr i madh shpërtheu të dielën pasdite në perëndim të Athinës. Rreth 210 zjarrfikës, të mbështetur nga vullnetarë, ekipe të specializuara dhe 29 mjete ajrore, janë angazhuar për shuarjen e flakëve që kanë përfshirë pyjet me pisha në zonën e Mandrës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




