Salianji i përgjigjet akuzave të Berishës: Dëshmi e mjerimit politik. E kam denoncuar Suel Çelën prej vitesh

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas akuzave të kryedemokratit Sali Berisha, i cili pretendoi se takimet e Salianjit në Elbasan janë organizuar nga Suel Çela. Salianji i ka cilësuar këto deklarata si të pavërteta dhe të fabrikuara.
Sipas tij, beteja e tij politike ka qenë prej vitesh kundër grupeve kriminale, përfshirë edhe atë të Suel Çelës.
Ai shton se në takimin e Elbasanit ka qenë e pranishme e gjithë struktura vitale e PD-së, ndërsa pretendimet se ka pasur kontakte me persona që ai vetë i ka denoncuar publikisht, i quan “dëshmi të mjerimit politik”.
“E vetmja mënyrë që Edi Rama gjeti për të më ndalur nga përballja me ta në zgjedhje ishin akuzat e fabrikuara, në betejën time kundër një prej grupeve mafioze më të fuqishme në vend. Sepse në garë dhe me garë unë i mund! Këtë e kam treguar në Korçë, në Kavajë, në parti dhe kudo: forca ime e vetme janë, personaliteti, vullneti im dhe mbështetja e njerëzve.
Në Elbasan ishte e gjithë struktura vitale e Partisë Demokratike. Akuzat imagjinare, siç ndodh rëndom me armiqtë imagjinarë të qëmotit, se unë paskam takuar ata që i kam denoncuar prej vitesh, duke filluar nga Suel Çela, janë një dëshmi e mjerimit politik. Veçanërisht kur dihet se shumëkush tjetër e ka pasur në krah dhe e ka përdorur për interesa të veta”, shkruan ai.
Salianji thekson se në kushte normale do të përballej në gjykatë me çdo shpifje, por aktualisht zgjedh të reagojë publikisht për të mos dëmtuar PD-së.
“Por ç’rëndësi ka kjo. Në kushte të një demokracie dhe jo autokracie do shkoja në gjykatë të përballja çdo shpifës. Por në kushtet e një përballje për shkak se dua që Partia Demokratike të jetë fituese dhe disa rrogëtarë kanë frikën e humbjes së pushtetit e të pazareve po reagoj publikisht një herë, e më pas siç kam bërë çdo herë, do shkoj në vendngjarjet e krimit, korrupsionit dhe bashkëpunëtorëve të tyre në pazare!”, theksoi ai.
Ai rendit një sërë problematikash që, sipas tij, po shqetësojnë demokratët dhe shoqërinë: humbjet e njëpasnjëshme, degradimi i debatit të brendshëm, promovimi i humbësve serialë, mungesa e mbështetjes reale, atrofizimi i partisë dhe paaftësia për të nxjerrë qytetarët në protesta apo për të rrëzuar një qeveri të korruptuar.
Në vijim, Salianji distancohet nga çdo akuzë për ndikim kriminal në strukturat e PD-së, duke theksuar se ai vetë nuk ka emëruar apo komanduar askënd që ka pasur lidhje me grupe kriminale. Në fund, Salianji shprehet se do të vazhdojë takimet me demokratët.
“Sa më përket mua, unë nuk kam emëruar, as komanduar struktura për të zgjedhur deputet të Partisë Demokratike dikë që, në funksionin e prokurorit që duhet të luftojë bandat, gjendet në makinë me to, nën breshërinë e plumbave me kriminelë ndër më të rrezikshmit! Kjo është vijë e kuqe dhe dëmtim i kartës morale të opozitës! Kam vazhduar dhe do të vazhdoj në rrugën e duhur: takimet me demokratët, ballë për ballë, me lirinë time dhe të vërtetën, pa ndalim. Demokratët dhe populli opozitar meritojnë rotacion”, përfundon Salianji.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




