Samiti i “Koalicionit të Vullnetmirëve”, Rama publikon “foton familjare” me 27 liderë botërorë

Kryeministri Edi Rama i është bashkuar sot liderëve botërorë në kryeqytetin francez për samitin e rëndësishëm të “Koalicionit të Vullnetmirëve” (The Coalition of the Willing).
Kreu i qeverisë shqiptare mbërriti në Pallatin Élysée, ku u prit me nderime nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Rama ndau në rrjetet sociale një imazh nga ceremonia zyrtare, të cilën e shoqëroi me diçiturën: “Foto familjare e liderëve pjesëmarrës në takimin ‘The Coalition of the Willing’”.
Samiti, i cili mblodhi më shumë se 27 udhëheqës shtetesh dhe qeverish, kishte si objektiv madhor: finalizimin e një marrëveshjeje konkrete për garancitë e sigurisë së Ukrainës.
Në rast të një agresioni të mundshëm rus, vendet nënshkruese zotohen për:
Përdorimin e kapaciteteve ushtarake dhe mbështetje logjistike;
Ndarjen e inteligjencës së nivelit të lartë;
Iniciativa diplomatike të koordinuara;
Miratimin e paketave të reja të sanksioneve.
Agjenda e Kryeministrit Rama në Paris përfshiu edhe takime bilaterale të rëndësishme. Më herët, ai zhvilloi një bisedë me Ministrin e Drejtësisë së Francës, Gérald Darmanin. Në fokus të diskutimit ishte reforma në drejtësi në Shqipëri, specifikisht përfshirja e ekspertizës franceze në hartimin dhe konsolidimin e draftit të ri të Kodit Penal, me qëllim përafrimin e tij me standardet më të mira evropiane.
Emisarët e SHBA-së
Vëmendje të veçantë në samit ka marrë edhe prania e përfaqësuesve të lartë nga Shtetet e Bashkuara. Steve Witkoff, i dërguari special i Presidentit Donald Trump, së bashku me dhëndrin e presidentit, Jared Kushner, janë parë të mbërrijnë në Pallatin Élysée, duke sinjalizuar një angazhim të administratës amerikane në diskutimet për arkitekturën e re të sigurisë në Evropë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.









