Samiti Ndërqeveritar, Rama- Meloni forcojnë aleancën Tiranë- Romë, 15 marrëveshjet kyçe që u firmosën, partneriteti strategjik kthehet në agjendë të strukturuar bashkëpunimi

Politikë | 12 muaj më parë

Mbledhja e parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Italisë në Romë, e drejtuar nga Kryeministrat Edi Rama dhe Giorgia Meloni, shënoi një moment kulmor në marrëdhëniet dypalëshe. Samiti, i përshkruar nga Meloni si një ditë “historike” dhe nga Rama si një ditë krenarie, prodhoi një bllok prej 15 marrëveshjesh dhe memorandumesh mirëkuptimi, duke e kthyer partneritetin strategjik në një agjendë të strukturuar bashkëpunimi.

Marrëveshja kuadër e firmosur nga dy krerët e qeverive përfshin fusha thelbësore si kujdesi shëndetësor, energjia, mbrojtja, menaxhimi i migracionit, inovacioni dhe transformimi ekonomik.

Protokolli i diskutuar Itali-Shqipëri për menaxhimin e flukseve të Migrantëve ishte një tjetër në Samitin e parë Ndërqeveritar. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, mbrojti me vendosmëri iniciativën, duke u shprehur se qeveria e saj është “e vendosur të ecë përpara”, pavarësisht përpjekjeve për ta ngadalësuar.

Rama: Shpresë për negociata politike në BE

Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama e cilësoi Samitin si “një ditë historike” dhe fokusoi vëmendjen te integrimi evropian. Ai shprehu dëshirën që Shqipëria të hapë negociatat politike për anëtarësimin në Bashkimin Evropian pikërisht gjatë Presidencës Italiane të Këshillit të BE-së, e cila zhvillohet në gjashtë muajt e parë të vitit 2028.

Takimi, ku u firmosën gjithsej 15 marrëveshje në fusha si siguria, energjia dhe mbrojtja, nënvizoi thellësinë e marrëdhënieve, të cilat Meloni i cilësoi se shkojnë “përtej interesave reciproke”.

Investime gjigante italine në Pasha Liman, forcohet linja energjetike Shqipëri-Itali

Samiti Ndërqeveritar Shqipëri-Itali shënoi edhe një kthesë të fortë drejt thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimor, duke vulosur marrëveshje për projekte infrastrukturore dhe industriale me rëndësi strategjike për të dy vendet dhe rajonin.

Kryeministri Rama vuri theksin te rëndësia e madhe gjeopolitike e këtyre projekteve.

“Kemi një nga projektet më të mëdha në Evropë për energjinë, i cili po ecën përpara për të kontribuar për sovranitetin energjik të Evropës, përmes linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Italisë me pjesëmarrjen e Emirateve të Bashkuara Arabe.” tha ai.

Zhvillimi industrial

Një nga lajmet më të rëndësishme industriale ishte nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit mes kompanisë italiane të ndërtimit të anijeve Fincantieri dhe KAYO.

Ky memorandum paraprak synon krijimin e një “joint ventures” (ndërmarrjeje të përbashkët) për kryerjen e punimeve në kantieret e Pasha Limanit.

Kjo marrëveshje tregon një angazhim të lartë të Italisë në projekte me potencial të madh industrial dhe zhvillimor, duke e kthyer bazën e Pasha Limanit në një qendër të rëndësishme detare.

Energjia, rrjeti i transmetimit dhe Korridori VIII

Partneriteti ekonomik u forcua me përfshirjen e institucioneve kyçe financiare italiane si Cassa Depositi e Prestiti SpA (CDP), e cila nënshkroi marrëveshje me Shqipërinë për:

Përmirësimin e rrjetit energjetik

Nënshkrimi i një marrëveshjeje financiare mes CDP-së dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në Shqipërinë veriore, një projekt i lidhur me dëmet e tërmetit të vitit 2019.

Lidhja rajonale (Korridori VIII)

Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e Korridorit VIII, si një korridor strategjik jo vetëm për Evropën, por edhe për NATO-n, tregtinë dhe mbrojtjen, duke nënvizuar se projekti ka nisur me një “ritëm të përshpejtuar” falë Italisë.

Marrëveshjet me Simest SpA (me AIDA-n) dhe Leonardo SpA (me KAYO) kompletojnë angazhimin e Italisë për thellimin e prezencës së saj ekonomike, duke e bërë Shqipërinë një faktor kryesor për bashkëpunim dhe duke e forcuar rolin e saj si partneri kryesor tregtar i Tiranës.

Rritet bashkëpunimi ushtarak dhe ligjzbatues

Në kuadër të Samitit Ndërqeveritar, Shqipëria dhe Italia thelluan ndjeshëm bashkëpunimin e tyre edhe në sektorët e Sigurisë, Mbrojtjes dhe Mbrojtjes Civile, duke shkëmbyer disa marrëveshje thelbësore që forcojnë kapacitetet shqiptare dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Pikat Kyçe të marrëveshjes së sigurisë

1. Misioni kundër drogës dhe krimi kibernetik

U nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit “Misioni kundër drogës” ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit Shqiptar dhe Drejtorisë Qendrore të Shërbimeve Kundër Drogës të Italisë. Ky dokument synon:

Rritjen e bashkëpunimit operacional. Lehtësimin e shkëmbimit të informacionit mbi grupet kriminale.

Forcimin e hetimit me zgjerimin e operacioneve dhe hetimeve të përbashkëta.

Zgjerimin e programeve të trajnimit dhe shkëmbimeve profesionale.

Gjithashtu, u firmos një Memorandum Mirëkuptimi i veçantë për bashkëpunimin mbi sigurinë kibernetike, një prioritet në rritje për dy vendet.

2. Bashkëpunimi Ushtarak dhe Bregdetar

Për të forcuar kapacitetet e mbrojtjes dhe sigurisë detare, u finalizuan dy angazhime specifike:

Nënshkrimi i një marrëveshjeje të re për bashkëpunimin në sektorin e mbrojtjes mes Ministrave Vengu dhe Crosetto.

Një marrëveshje teknike për dorëzimin e dy motovedetave të Guardia Costiera italiane për Forcën Detare Bregdetare Shqiptare.

3. Përforcimi i Mbrojtjes Civile

Një pjesë e rëndësishme e paktit i dedikohet forcimit të sistemit të mbrojtjes civile shqiptare. Kjo përfshin:

Marrëveshje ndërqeveritare për koncesionin e një huaje ndihme për mbështetjen e krijimit dhe përforcimit të sistemit të Mbrojtjes Civile.

Nënshkrimi i protokolleve të mirëkuptimi ndërmjet Agjencive Kombëtare të Mbrojtjes Civile të dy vendeve, me mbështetjen e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS).

Këto angazhime tregojnë një rritje të partneritetit të Shqipërisë me Italinë, si një vend kyç i NATO-s dhe një aleat i rëndësishëm në Adriatik.

Marrëveshje për rrjetin onkologjik dhe neonatologjinë

Përveç projekteve të mëdha në siguri dhe energji, Samiti Ndërqeveritar mes Shqipërisë dhe Italisë dha rezultate të prekshme në fushën e shëndetësisë dhe kulturës, duke nënvizuar fokusin e partneritetit te mirëqenia qytetare.

Prioritet kujdesi shëndetësor

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, dhe homologu italian, Orazio Schillaci, nënshkruan dy angazhime kryesore në sektorin shëndetësor:

Rrjeti kombëtar onkologjik

U nënshkrua marrëveshja për ngritjen e Rrjetit të ri Kombëtar Onkologjik dhe Institutit të ardhshëm Kombëtar të Tumoreve. Ky projekt do të jetë thelbësor për të përmirësuar trajtimin dhe shërbimet ndaj pacientëve me kancer në Shqipëri, duke transferuar ekspertizën dhe standardet italiane.

Mbështetja për nënat dhe fëmijët

U firmos gjithashtu një marrëveshje për realizimin e një projekti specifik në mbështetje të neonatologjisë, që synon në mënyrë të drejtpërdrejtë mbrojtjen e fëmijëve dhe nënave.

Trashëgimia dhe arti

Partneriteti u thellua ndjeshëm edhe në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore, duke vendosur bazat për shkëmbime dhe bashkëpunime të nivelit të lartë:

U nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi mes fondacionit MAXXI (Muzeu Kombëtar i Arteve të Shekullit të XXI Italian) dhe Galerisë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë.

Kjo marrëveshje do të nxisë bashkëpunimin në ekspozita, restaurime dhe shkëmbime artistike, duke e bërë Shqipërinë më të pranishme në qarqet kulturore ndërkombëtare, veçanërisht atë italian.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme