SHBA: Dumani vendosi standardin e bashkëpunimit mes dy vendeve kundër organizatave kriminale ndërkombëtare, shpresojmë që kjo të vijojë edhe me pasardhësin e tij

Aktualitet | 11 muaj më parë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rikonfirmuar mbështetjen për Prokurorinë e Posaçme (SPAK) në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ambasada e SHBA në Tiranë ka njoftuar se Zëvendësdrejtori për Çështjet e Evropës Perëndimore Qendrore, Lyn Debevoise, ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në zyrat e SPAK, ku është takuar me Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.

Sipas njoftimit zyrtar të shpërndarë në rrjetet sociale, vizita kishte për qëllim të përcillte vlerësimin e Uashingtonit për punën e bërë nga Dumani në koordinim me agjencitë ligjzbatuese amerikane.

Theksi i bisedës u vendos te dy shtylla kryesore: Përballja me rrjetet e paligjshme kriminale që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara; lufta kundër korrupsionit, si një fenomen që pengon kompanitë dhe investitorët amerikanë të operojnë lirisht.

“Përballja me krimin ndërkombëtar kërkon një angazhim të përbashkët,” thuhet në reagimin e ambasadës.

Në deklaratën e ambasadës theksohet kërkesa për vazhdimësinë e punës së institucionit.

“Përpjekjet e Dumanit vendosën standardin për bashkëpunim të fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kundër organizatave kriminale ndërkombëtare, i cili shpresojmë se do të vazhdojë me pasardhësin e tij,” thekson në postim ambasada amerikane.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme