Shkalla e meritës, Rama: Rekrutimet në administratë drejt një sistemi digjital dhe më transparent

Politikë | 48 minuta më parë

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar nismën “Shkalla e Meritës”, e cila synon të ndryshojë mënyrën e rekrutimit dhe të zhvillimit të karrierës në administratën publike. Gjatë fjalës së tij, Rama njoftoi se infrastruktura e qendrës së provimeve të Oxford-it do të vihet në dispozicion të proceseve të rekrutimit dhe të karrierës në administratë, ndërsa do të krijohet edhe një katalog digjital për informimin e personave të interesuar për vendet e lira të punës.

“Ne sot jemi në fazën kur po zbatojmë më në fund një projekt të jashtëzakonshëm, i cili sjell qendrën e provimeve të Oxford-it si pjesë të Qendrës së Shërbimeve Arsimore të Republikës së Shqipërisë dhe gjithçka, për sa i përket provimeve në sistemin tonë universitar, në sistemin tonë arsimor, do të jetë njësoj siç bëhet në qendrën e provimeve të Oxford-it”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, kjo infrastrukturë do të përdoret edhe për rekrutimet në administratë dhe gjatë procesit të karrierës së punonjësve publikë. Ai e krahasoi nismën me reformën e pranimeve në universitete, për të cilën tha se ka sjellë më shumë respekt për meritën dhe ka reduktuar ankesat për padrejtësi.

“E mbajnë mend të gjithë që ishte një hall shumë i madh futja në universitet, sepse s’kishte asnjë respekt për meritën, por ishte një turravrap se kush ia kalonte tjetrit me shtytje nga mbrapa, me miq, me parti, me para dhe, për shumë vite tanimë, provimet e universitetit janë provime pa ankesa. S’ka ankesa!”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se, para reformës, ankesat për padrejtësi në pranimin në universitete ishin të shumta, duke përmendur veçanërisht kandidatët nga familje pa mundësi të mëdha financiare apo nga zona periferike.

Duke folur për rekrutimet në administratën publike, Rama tha se mënyra aktuale e shpalljes së vendeve të lira dhe informimit të kandidatëve nuk garanton transparencën dhe mundësitë e barabarta që kërkohen.

“Tjetra nuk quhet transparencë, nuk quhet hapje për mundësi të barabarta, mënyra se si bëhet sot shpallja e vendeve dhe se si informohen sot njerëzit”, u shpreh kryeministri.

Ai bëri të ditur se do të krijohet një katalog aktiv digjital, ku do të pasqyrohen nevojat e shtetit për profesione të ndryshme dhe nivele eksperience. Në të njëjtën kohë, personat e interesuar do të mund të regjistrojnë të dhënat e tyre për të marrë njoftime sa herë që hapet një vend pune që përputhet me profilin e tyre.

“Ne do të hapim kopertinën e një katalogu aktiv digjital, ku, nga njëra anë, do të shihen të gjitha nevojat që ka shteti shqiptar për profesionet, për nivele eksperience etj., etj., por, nga ana tjetër, do të mund të futen të dhënat e kujtdo qoftë që dëshiron të njoftohet sa herë që në atë profesion dhe për atë eksperiencë, diku në Shqipëri, hapet një vend pune”, tha Rama.

Sipas tij, sistemi do t’u krijojë mundësi edhe shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të shprehin interesin për t’u bërë pjesë e administratës publike. Ai sqaroi se bëhet fjalë për regjistrimin e interesit për t’u njoftuar mbi vendet e përshtatshme, jo domosdoshmërisht për paraqitjen e një kandidature konkrete.

“Që do të thotë që të gjithë ata në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë që duan të bëhen pjesë e administratës, mund ta paraqesin në mënyrë proaktive disponimin e tyre, se s’po them kandidaturën, disponimin e tyre”, deklaroi kryeministri, duke shtuar se sistemi do të funksionojë mbi bazën e autorizimit të personave të interesuar për të marrë njoftime.

Rama theksoi se synimi është që të gjithë kandidatët të kenë informacion për mundësitë e punësimit dhe të mund të marrin pjesë në konkurse më transparente, ku të kufizohet ndikimi subjektiv në përzgjedhje.

“Kjo do të bëjë që të gjithë të mund të jenë të informuar dhe të gjithë ta kenë shansin që të marrin pjesë në konkurset, të cilat do të shkojnë në një nivel tjetër për nga transparenca dhe për nga mosndikimi subjektiv që deformon garën”, u shpreh ai.

Nisma, sipas kryeministrit, do të përfshijë jo vetëm rekrutimet e reja, por edhe avancimin në karrierë të punonjësve që janë tashmë pjesë e administratës. Ai tha se vlerësimi duhet të mbështetet në të dhëna të disponueshme nga shteti dhe jo vetëm në marrëdhënien e punonjësit me eprorin.

“Pra, vit për vit apo sipas kalendarit të paracaktuar, të gjithë mund të kalojnë në testime, ku mund të rrisin pikët e tyre dhe mund të rrisin mundësitë e tyre për t’u ngjitur një shkallë më lart”, tha Rama.

Një tjetër çështje që ngriti kryeministri ishte vazhdimësia e punësimit për personat që përfshihen në programe ekselence ose programe njohjeje me administratën. Sipas tij, në disa raste, pas përfundimit të një viti pune, këta persona mbeten jashtë sistemit edhe kur kanë treguar rezultate të mira.

“Edhe kjo është diçka që duhet parë me kujdes, në mënyrë që të mos kemi një ndërprerje brutale të marrëdhënies, në pikën që shumëkush pastaj fillon e krijon ide në kokë që kjo ndodhi si rezultat i faktit që ‘s’kisha mik, s’kisha kështu…’”, u shpreh Rama.

Në përfundim, kryeministri e cilësoi “Shkallën e Meritës” si pjesë të një sistemi të ri, ku inteligjenca artificiale do të përdoret për të përmirësuar transparencën dhe për të mbledhur të dhëna mbi proceset e administratës publike.

“‘Shkalla e Meritës’ është një tjetër komponent i një sistemi të ri, ku ne do të kemi aleatë, partnerë, mbështetës, IA dhe ku, përmes IA-së, do të mund të bëjmë shumë më tepër në funksion të transparencës dhe në funksion të mbledhjes së të gjitha atyre të dhënave të proceseve që na japin të kuptojmë ekzaktësisht se deri ku ne arrijmë”, deklaroi ai.

Rama e mbylli fjalën duke theksuar rëndësinë e meritës për motivimin e punonjësve dhe funksionimin e institucioneve në shërbim të objektivave të përbashkëta.

“Merita është thelbi për të cilin të gjithë së bashku duhet të punojmë pa ndërprerë dhe duhet të jemi të fokusuar, pasi aty lidhet motivimi, lidhet ndjenja e përkatësisë ndaj, jo vendit të punës, po ndaj organizatës, ndaj institucionit, ndaj departamentit”, përfundoi kryeministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme