Shpërthimi i gripit të shpendëve në Brazil, Kosova ndalon importet e mishit të pulës nga vendi i Amerikës Jugore

Pasi Brazili raportoi të premten e shkuar rastin e parë të shpërthimit të gripit të shpendëve në një fermë në jug të tij, autoritete e Kosovës kanë vendosur që të ndalojnë importet e mishit të pulës dhe produkteve të tjera të shpendëve nga vendi i Amerikës Jugore.
Në një njoftim për shtyp, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës bëri me dije se vendimi për ndalimin e këtyre importeve hyn në fuqi duke filluar nga kjo e martë deri në një njoftim të dytë.
“Ky vendim synon të mbrojë shëndetin publik dhe të parandalojë përhapjen e mundshme të sëmundjes në territorin e Kosovës,” shkruhet në njoftimin e Agjencisë së Ushqimit, ku gjithashtu theksohet se pavarësisht që gripi i shpendëve është një sëmundje shumë ngjitëse, që në raste të rralla mund të transmetohet tek njeriu, nuk ka prova që konsumi i mishit apo vezëve mund të shkaktojë infeksion.
Megjithatë sipas kësaj agjencie, ndalimi i importeve nga Brazili ishte masë paraprake për të garantuar sigurinë ushqimore të qytetarëve.
Kosova nuk është i vetmi vend që merr një masë të tillë. Edhe vendet e Bashkimit Europian, Kina, Japonia, Emirate e Bashkuara Arabe kanë ndaluar importet e mishit të shpendëve dhe vezëve nga Brazili, i cili është eksportuesi më i madh në botë i mishit të pulës.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




