Shqipëria drejt digjitalizimit, pagesat elektronike shënojnë rritje

Ekonomi | 1 vit më parë

Banka e Shqipërisë (BSH) ka njoftuar një rritje të ndjeshme të përdorimit të pagesave elektronike gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025. Këto të dhëna reflektojnë një zhvendosje të qartë të ekonomisë shqiptare drejt shërbimeve digjitale.

Sipas BSH-së, gjatë periudhës janar-qershor 2025, numri total i pagesave arriti në 27.9 milionë, një rritje prej 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vlera totale e pagesave shënoi 3.475 miliardë lekë, me një rritje prej 13%.

Kjo rritje e madhe i atribuohet kryesisht përdorimit të kartave dhe transfertave online. Pagesat me kartë u rritën me 30%, duke zënë 67% të totalit të pagesave. Transfertat e kreditit online u rritën me 23%, duke arritur në 19% të totalit.

Numri i kartave të debitit dhe kreditit në qarkullim ka shkuar në 1.572 milionë, një rritje vjetore prej 4.1%.

“Rritje e pagesave elektronike në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025. Pagesat jo-cash në rritje. Numri total i pagesave nëpërmjet sistemit bankar arriti në 27.9 milionë, duke shënuar një rritje vjetore prej 24%. Vlera totale e këtyre pagesave u rrit me 13%, duke arritur në 3.475 miliardë lekë. Kartat – instrumenti më i përdorur. Pagesat me kartë u rritën me 30% dhe përbëjnë 67% të totalit të pagesave. Transfertat e kreditit online u rritën me 23%, duke arritur 19% të pagesave. Më shumë karta në qarkullim. Numri i kartave të debitit dhe të kreditit arriti në 1.572 milionë (+4.1%).”, njofton B.SH, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.  

Këto shifra tregojnë se qytetarët dhe bizneset po përqafojnë gjithnjë e më shumë komoditetin dhe sigurinë që ofrojnë pagesat elektronike.

Banka e Shqipërisë vijon të mbështesë këtë trend përmes reformave që synojnë rritjen e aksesit dhe transparencës në tregun financiar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme