Lezhë/ Zjarri masiv përfshin Kalivaçin dhe Zimajn, banesa të djegura, Ndreu: Situata po vihet nën kontroll

Aktualitet | 2 muaj më parë

Zjarri i rënë në zonën e Kalivaçit, në Njësinë Administrative Ungrej të Lezhës, është përhapur me shpejtësi edhe në fshatin fqinj Zimaj, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Flakët kanë përfshirë disa banesa, si të banuara ashtu edhe të pabanuara, ndërsa përhapja e rrufeshme e zjarrit ka vënë në alarm banorët dhe strukturat e emergjencës.

Për shkak të përmasave të krizës dhe terrenit të thyer malor, operacionit të emergjencave civile dhe shërbimeve zjarrfikëse nga toka i është bashkuar edhe ndërhyrja nga ajri përmes dy helikopterëve.

“Siç e shihni, jemi përballë një zjarri në një nga zonat më të thella të Lezhës. Përhapja e flakëve ka qenë e menjëhershme, e ndihmuar edhe nga era e fortë. Pavarësisht gatishmërisë sonë dhe ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të emergjencës e të helikopterëve, zjarri ka shkaktuar dëme në disa banesa, ndërsa po verifikojmë situatën edhe në disa të tjera. Elementi më pozitiv për momentin është se nuk kemi dëme në njerëz, që mbetet kryesorja. Po ashtu, zjarri tashmë po vihet nën kontroll, megjithëse ka ende vatra aktive të cilat po i ndjekim me nga afër. Tani të gjitha forcat kombëtare do të shpërndahen në terren për të ndërhyrë në ato vatra ku helikopterët kanë kryer punën e tyre. Besoj se pas kësaj ndërhyrjeje situata do të vihet plotësisht nën kontroll dhe shpresojmë në një përmirësim nga ora në orë. Zjarri pati një përhapje rrufe, kryesisht për shkak të thatësirës së madhe.” deklaroi Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu.

Sipas kreut të bashkisë, thatësira e tejzgjatur dhe erërat e forta kanë favorizuar përparimin e shpejtë të vatrës, por angazhimi i koordinuar i forcave kombëtare po sjell stabilizim gradual të zonës.

Strukturat e Mbrojtjes Civile, trupat zjarrfikëse dhe autoritetet vendore vijojnë praninë në terren për neutralizimin e plotë të vatrave të mbetura dhe mbrojtjen e banesave që ndodhen pranë perimetrit të rrezikut.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme