SPAK çel garën për kreun e ri të BKH, kriteret shkualifikuese: lidhja me politikën, rrjetet e spiunazhit dhe komunizmin

Aktualitet | 2 vite më parë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar njoftoi të martën çeljen e procedurës së riemërimit të Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) për zëvendësimin e Aida Hajnajt, së cilës i mbaron mandati në datën 31 gusht.

SPAK thotë se komisioni i përzgjedhjes së kandidaturave përbëhet nga kreu i SPAK, Altin Dumani dhe prokurorët e posaçëm, Arben Kraja dhe Behar Dibra.

Në njoftimin e shpërndarë për mediet, struktura e posaçme thotë se, kandidati duhet të paraqesë dokumentacionin e nevojshëm brenda datës 7 maj 2025 që vërteton plotësimin e të gjitha kushteve.

Sipas ligjit, të drejtën për të aplikuar në pozicionin e Drejtorit të BKH-së, e kanë vetëm kandidatët që janë shtetas shqiptarë, që gëzojnë cilësi të larta profesionale dhe morale, dhe që plotësojnë kriteret e duhura.

SPAK thekson po ashtu se dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë Sektorit të Arkiv-Protokollit të Drejtorisë së Dokumentacionit dhe Burimeve Njerëzore të Prokurorisë së Posaçme në një zarf të mbyllur, i cili i drejtohet Komisionit të Përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Kriter kryesor është që kandidati të mos jetë i lidhur me politikën, rrjetet e spiunazhit dhe Komunizmin.

Procesi i riemërimit të kreut të BKH-së do të kryhet duke kaluar në shtatë faza të ndryshme.

Aida Hajnaj u emërua në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit më 30 korrik të vitit 2020.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme