“Standard & Poor’s” rrit vlerësimin për Shqipërinë: Ofron stabilitet ekonomik dhe ka ulur borxhin publik

Shqipëria merr vlerësim pozitiv nga agjencia prestigjioze e vlerësimit “Standard and Poor’s” në raportin e saj më të fundit të publikuar në 21 mars 2025. Ky vlerësim është rezultat i rritjes ekonomike dhe reformave fiskale të ndërmarra nga autoritetet shqiptare si edhe pasqyron qëndrueshmërinë e ekonomisë dhe financave publike gjatë viteve të fundit në Shqipëri thuhet në raport.
Një tjetër ndikim pozitiv është ulja e ndjeshme e borxhit publik: nga 65.7% e PBB-së në vitin 2019, në 55.4% në vitin 2024, me projeksione që do të arrijë në 51.7% deri në vitin 2028.Po ashtu, raporti i fundit i agjencisë thekson se financat publike të Shqipërisë kanë performuar mirë, falë reformave të ndërmarra në sistemin fiskal.. Ndërkohë, deficiti i llogarisë korrente është ngushtuar, kryesisht për shkak të rritjes së ndjeshme të tepricës së shërbimeve, që në vitin 2023 arriti në 16% të PBB-së.
Agjencia parashikon që rritja reale e PBB-së së Shqipërisë të mbetet mbi 3% deri në vitin 2028, e nxitur nga investimet dhe konsumi. Agjencia tha se gjithsesi sfidat strukturore vazhdojnë, të tilla si tkurrja e forcës së punës dhe emigracioni i vazhdueshëm, ndërsa varësia e vendit nga turizmi dhe kërkesa e jashtme prej tregjeve kryesore të BE-së shton vulnerabilitetin ekonomik.
Edhe rreziqet fiskale mbeten të pranishme për shkak të nivelit të lartë të borxhit në valutë të huaj, maturiteteve afatshkurtra të borxhit vendas dhe angazhimeve të konsiderueshme të partneriteteve publike-private.
Ky është rishikimi i dytë në rritje brenda një viti. Në 23 mars 2024, “Standard and Poor’s” përmirësoi për herë të parë vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë. Ky vlerësim për Shqipërinë u përshëndet edhe nga kryeministri Rama në Facebook që sipas tij konfirmon progresin e Shqipërisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




