Sulm me thikë në Paris, plagosen tre gra, një polic jashtë shërbimit neutralizon autorin

Botë | 3 muaj më parë

Një efektiv policie jashtë shërbimit arrestoi një burrë që sulmoi me dy thika kuzhine tre gra në Paris, duke i plagosur ato gjatë një sulmi të ndodhur paraditen e së hënës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 11:30, në zonën Porte de Clichy, në veri të kryeqytetit francez. Sipas ministrit të Brendshëm të Francës, Laurent Nuñez, tre gratë, të moshave 19, 24 dhe 36 vjeç, u dërguan në spital për trajtim mjekësor.

Dy prej tyre pësuan plagë të rënda, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Njëra u godit në pjesën e poshtme të shpinës, ndërsa tjetra në bark.

“Autori u neutralizua dhe u arrestua nga një polic që ndodhej jashtë shërbimit,” deklaroi ministri Nuñez.

Identiteti i të dyshuarit dhe motivet e sulmit nuk janë bërë ende të ditura. Sipas ministrit, autori ka bërë “deklarata të paqarta dhe të pakuptimta”, ndaj autoritetet u kanë bërë thirrje publikut dhe mediave të mos nxitojnë në nxjerrjen e përfundimeve për motivin e ngjarjes.

Sulmi vjen vetëm dy ditë pasi një ekstremist islamik përplasi një furgon të marrë me qira mbi pjesëmarrësit e një parade të komunitetit LGBTQ+ në Berlin, duke vrarë një grua dhe plagosur 29 persona.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme