Mes tensioneve në Egje, sot takimi Erdogan–Mitsotakis në OKB

Rajon | 1 vit më parë

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis pritet të takohen sot në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të OKB-së.

Takimi, i planifikuar për orën 14:00 lokale (20:00 sipas orës së Shqipërisë), synon ruajtjen e klimës së qetë mes dy vendeve, pa pritshmëri për përparime të mëdha.

Axhenda përfshin çështje dypalëshe dhe rajonale, përfshirë një projekt të mundshëm për ndërlidhjen e energjisë elektrike.

Në takim do marrin pjesë edhe ministrat e jashtëm dhe këshilltarët diplomatikë të të dyja palëve.

Takimi zhvillohet në një kohë kur tensionet në Egje janë rritur, pas njoftimit të Turqisë për dërgimin e anijes kërkimore Piri Reis në Egjeun qendror, të shoqëruar me njoftime Navtex (njoftime zyrtare detare që paralajmërojnë për aktivitete si kërkime, stërvitje ushtarake apo kufizime lundrimi në zona të caktuara).

Turqia ka theksuar se ishujt lindorë të Egjeut duhet të mbeten të demilitarizuar, ndërsa Greqia ka reaguar me stërvitje të paplanifikuara si “Delta Force”.

Turqia ka kryer gjithashtu katër stërvitje ushtarake, përfshirë dhe me Egjiptin.

Në axhendë pritet të përfshihet edhe çështja e Qipros, me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, që planifikon takime më 27 shtator me liderët turq dhe grekë qipriotë, për të rinisur negociatat e ndërprera që nga viti 2017.

Pavarësisht nënshkrimit të Deklaratës së Athinës për fqinjësi të mirë në dhjetor 2023, mosmarrëveshjet mbi kufijtë detarë, eksplorimin e energjisë dhe militarizimin e ishujve mbeten të pazgjidhura.

Analistët paralajmërojnë se tensionet ushtarake dhe interesat strategjike e bëjnë rajonin të brishtë dhe diplomacinë të ndjeshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme