Të shtënat me armë në një shkollë në Kanadanë perëndimore, vriten 9 persona, plagosen 25 të tjerë

Botë | 8 muaj më parë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kanadanë perëndimore, ku nëntë persona kanë humbur jetën dhe 25 të tjerë janë plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një shkollë të mesme dhe në një banesë pranë saj, në zonën e Tumbler Ridge, në Kanadanë Perëndimore.

Sipas policisë, shtatë persona u qëlluan për vdekje brenda ambienteve të shkollës së mesme Tumbler Ridge, ndërsa dy viktima të tjera u gjetën të pajetë në një shtëpi aty pranë. Autoritetet nuk kanë bërë publike identitetet apo moshat e viktimave.

I dyshuari për sulmin u gjet gjithashtu i pajetë, në atë që zyrtarët e përshkruajnë si një lëndim të vetëshkaktuar. Në një alarm për të shtëna aktive të dërguar komunitetit gjatë incidentit, policia e përshkroi të dyshuarën si një “femër me fustan dhe flokë ngjyrë kafe”. Deri më tani, nuk është bërë e ditur arma e përdorur në sulm.

Sipas të dhënave zyrtare, të paktën dy persona ndodhen në spital me lëndime serioze ose kërcënuese për jetën, ndërsa deri në 25 persona të tjerë po marrin trajtim për plagë që nuk paraqesin rrezik për jetën.

Ministrja e Sigurisë Publike dhe Prokurorja e Përgjithshme e Kolumbisë Britanike, Nina Krieger, deklaroi se policia mbërriti në shkollë brenda dy minutash nga marrja e telefonatës për të shtëna aktive. Ajo e cilësoi Tumbler Ridge si një “komunitet të vogël dhe të lidhur ngushtë”, duke falënderuar oficerët për guximin, përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre. “Pa dyshim që po shpëtojmë jetë sot,” u shpreh ajo, duke shtuar se ngjarja ka dërguar “valë tronditëse në të gjithë komunitetin dhe në të gjithë provincën”.

Edhe Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, reagoi duke u shprehur se është “i shkatërruar” nga “të shtënat e tmerrshme të sotme”. Ai anuloi një udhëtim të planifikuar në Gjermani për shkak të tragjedisë.

Ngjarja në Tumbler Ridge konsiderohet një nga sulmet me armë më vdekjeprurëse në historinë e Kanadasë. Në vitin 2020, një person i armatosur që u paraqit si oficer policie vrau 22 persona në Nova Scotia gjatë një periudhe dy-ditore. Ndërsa në vitin 1989, 14 gra u vranë në një sulm antifeminist në universitetin École Polytechnique në Montreal.

Kanadaja ka ligje më të rrepta për armëmbajtjen krahasuar me Shtetet e Bashkuara, çka i bën sulmet masive me armë zjarri relativisht më të rralla. Megjithatë, tragjedia e fundit ka rikthyer debatin mbi sigurinë publike dhe kontrollin e armëve në vend.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme