Teatri i të rinjve “ACT+” në Korçë, në natën e dytë të teatrit, u luajt “Njeriu që pa vdekjen”

Kulturë | 12 muaj më parë

Festivali i teatrit për të rinjtë “ACT+” vijoi me sukses natën e dytë të tij, me shfaqjen “Njeriu që pa vdekjen” të autorit Viktor Eftimiu, nën regjinë e Xhuljo Tringoskit dhe interpretimin e nxënësve të Gjimnazit “Platon”.

Kjo vepër e Eftimiut vjen me një dimension filozofik e dramatik, që ngre pyetje të thella mbi jetën, vdekjen dhe kuptimin e ekzistencës.

Festivali, që organizohet për herë të parë në Korçë, synon të vërë në qendër të rinjtë dhe talentet e reja të teatrit shkollor, duke u dhënë mundësinë të shprehen në skenë dhe të promovojnë krijimtarinë artistike.

“Ai vjen në vazhdën e aktiviteteve të shumta me të rinjtë e qytetit të cilët kanë pasione të shumta, mund të themi që në këtë festival janë shfaqur vepra me cilësi të lartë, autor dinjitoz dhe vazhdon një kalendar i pasur”, tha Blerta Belliu, Drejtore e Qendrës Kulturore “Vangjush Mio”.

Të rinjtë e Kolegjit “Platon” sollën në skenë një interpretim të pjekur dhe të ngarkuar me energji, duke marrë duartrokitje të gjata nga të pranishmit. Regjia e kujdesshme e Tringoskit dhe loja e natyrshme e aktorëve të rinj, sollën një atmosferë të fortë emocionale, që dëshmoi për pasionin dhe përkushtimin e brezit të ri ndaj artit skenik.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme