Tensione në protestën e opozitës, hidhen molotovë drejt Kryeministrisë, policia shpërndan turmën me gaz lotsjellës
Protesta e Partisë Demokratike ka shënuar momente tensioni pak minuta pas nisjes së saj në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Një grup protestuesish kanë sulmuar godinën e Kryeministrisë me bomba molotov dhe fishekzjarre, çka ka sjellë ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të policisë për të shpërndarë turmën.
Situata u përshkallëzua kur një grup specifik demonstruesish, të cilët mbanin tabela për të fshehur identitetin, avancuan drejt kordonit të sigurisë. Nën thirrjet e vazhdueshme “Rama ik”, ata lëshuan një breshëri lëndësh djegëse dhe piroteknike në drejtim të godinës qeveritare, një skenar i ngjashëm ky me protestat e mëparshme të opozitës.
Në përgjigje të këtij sulmi, forcat e rendit reaguan me shpejtësi për të rimarrë kontrollin e situatës. Policia përdori gaz lotsjellës dhe makinat me ujë me presion për të zmbrapsur protestuesit. Si pasojë e kësaj ndërhyrjeje, sheshi kryesor përpara Kryeministrisë u zbraz brenda pak minutash.
Aktualisht, zona vijon të jetë nën një monitorim të rreptë dhe prani të shtuar të forcave të policies.


/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




