Thethi vijon sezonin turistik, por s’ ka punonjës. Kapacitetet e shërbimeve po mbulohen me të huaj

Sociale | 44 minuta më parë

Thethi po e zgjat gjithnjë e më shumë sezonin turistik, duke kaluar nga një destinacion që funksiononte kryesisht për disa muaj të verës, në një zonë që tashmë pret turistë për më shumë se 8 muaj të vitit. Zgjatja e sezonit ka sjellë edhe rritjen e kërkesës për shërbime, veçanërisht në strukturat akomoduese, restorante dhe aktivitete të tjera turistike. Por, për operatorët turistikë, krahas rritjes së numrit të vizitorëve, një nga sfidat kryesore mbetet gjetja e fuqisë punëtore.

“Turizmi është mirë në krahasim me vitin tjetër. Është një sezon shumë më i mirë. Kryesisht janë të huaj, një përqindje shumë e vogël kanë qenë shqiptarë. Besoj se ky sezon do të zgjasë më shumë se vite të tjera. Vjeshta është momenti kur Thethi merr tjetër ngjyrë, është fantastik. Sezonin ne e kemi deri në fund të janarit”, tha Fatmir Berishta, operator turistik.

Sipas Berishtës, kapacitetet e shërbimeve po mbulohen gjithnjë e më shumë me punonjës të huaj, kryesisht nga Filipinet. Mungesa e stafit vendas po bëhet më e dukshme pikërisht në një kohë kur Thethi po shndërrohet në një destinacion me aktivitet turistik për pjesën më të madhe të vitit.

“Ne kemi staf edhe kemi marrë dhe shqiptarë, por këtë vit kemi marrë edhe të huaj, filipinas kryesisht. Është më e kushtueshme, por ka kompani që po merren vetëm me këtë gjë dhe ta lehtëson shumë pjesën e sjelljes në Shqipëri”, shtoi ai.

Zgjatja e sezonit shihet si një mundësi për zhvillimin ekonomik të zonës, por njëkohësisht kërkon edhe më shumë punonjës për të përballuar fluksin e turistëve dhe për të garantuar standardin e shërbimeve.

Gazetar: M. Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme