U kthyen sapo mori fjalën kryeministri/ Rama-deputetëve të opozitës: Më mirë shpina se fytyra juaj

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas gjestit të deputetëve të opozitës, të cilët u kthyen me shpinë sapo mori fjalën në Kuvend ku do të fliste për projektbuxhetin 2026 dhe Paketën Fiskale.
Rama e cilësoi lehtësim për fjalimin e tij.
“Edhe të ankoheni për ligjin, dhe të më ktheni mua kurrizin sikur nuk shkon more burrë. Megjithatë shumë faleminderit për këtë lehtësim që i bëni fjalimit tim sepse më mirë shpina se fytyra juaj”, iu drejtua Rama deputetëve të PD.
Nuk mungoi përgjigjja për deputetin demokrat Flamur Noka, i cili më herët akuzoi kryetarin e Kuvendit për besnikëri të tepruar ndaj kryetarit të PS-së.
“Ndërkohë z. Noka e ka besnikërinë ndaj kryetarit të partisë monopol dhe nuk ka Autoritet Konkurrence që ia vë nën dyshim monopolin, madje unë do ta quaja besnik Flamur Noka”, tha Rama.
“Niko është jashtëzakonisht larg teje Flamur. As mos e ki merak fare se ty në historinë e Shqipërisë mund të të afrohet vetëm Shefqet Peçi. Ndërkohë që në historinë e botës je rrotë më rrotë me Lei Fenin”, vijoi kreu i qeverisë.
Rama pati edhe një këshillë për ligjvënësit demokratë.
“Duhet të ndani opinionet nga ofendimet. Tjetër opinioni, tjetër ofendimi dhe duhet të ndani opinionet nga akuzat. Tjetër opinionet tjetër akuzat. Ndajini këto dhe jeni në rregull me Rregulloren”, tha Rama, duke theksuar në fund vizitën e tij në Bruksel ku Shqipëria hapi të gjithë kapituj e negociatave.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




