Udhëheqësi Suprem i Iranit Mojtaba Khamenei i bën thirrje iranianëve që t’i rezistojnë planeve amerikano-izraelite për t’i përçarë
Në një mesazh të publikuar të enjten, udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, akuzoi SHBA-në dhe Izraelin se po mbjellin përçarje mes iranianëve, ndërsa pretendoi se këto dy vende ishin mposhtur në luftën në Lindjen e Mesme.
“Pasi u mposhtën në fushëbetejë, armiku ynë dashakeq po përpiqet të mbjellë farat e dyshimit, dëshpërimit, frikës, mosbesimit dhe përçarjes mes nesh. Për të qëndruar përballë këtyre synimeve, secili nga ne duhet të ruajë unitetin dhe kohezionin. Çdo veprim që krijon pesimizëm mes nesh do të thotë ndihmë për armikun”, theksoi Khamenei në mesazhin e tij, i cili u lexua gjatë ceremonive të mbajtura në përvjetorin e vdekjes së themeluesit të Republikës Islamike, Ruhollah Khomeini.
Kjo nuk është hera e parë që udhëheqësi suprem i Iranit publikon mesazhe ku u bën thirrje qytetarëve të vendit të tij t’u rezistojnë planeve amerikano-izraelite për t’i përçarë.
Khamenei nuk është parë në publik që kur u plagos gjatë sulmeve që dy vendet ndërmorën në fillim të luftës ndaj Republikës Islamike dhe ku u vra i ati, ish-udhëheqësi Ali Khamenei.
Ndërsa në fillim të luftës u përfol se Mojtaba Khamenei mund të kishte ndërruar jetë, nisur nga fakti që nuk ishte parë në publik, vetë sekretari i Shtetit, Marco Rubio, u shpreh pak ditë më parë në Kongres se udhëheqësi suprem i Iranit ishte gjallë dhe se angazhimi i tij në negociatat me SHBA-në sa vinte e shtohej.
Kjo u konfirmua edhe nga presidenti Donald Trump, i cili u shpreh të mërkurën se Khamenei ishte i angazhuar plotësisht në çështjen e negociatave mes Iranit dhe SHBA-së, ndërkohë që shprehu dëshirën për ta takuar në një moment të caktuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




