Ushtria britanike dërgon ndihmë në Belgjikë pas ndërhyrjeve me dronë

Mbretëria e Bashkuar po dërgon personel dhe pajisje ushtarake në Belgjikë për të ndihmuar në forcimin e mbrojtjes së hapësirës ajrore pas ndërhyrjeve të shumta me dronë, të cilat dyshohet se janë kryer nga Rusia.
Kreu i ushtrisë britanike, Sir Richard Knighton, tha se homologu i tij belg kishte kërkuar ndihmë në fillim të kësaj jave dhe se pajisjet dhe forcat britanike janë duke u dislokuar.
Ndërhyrjet e dronëve shkaktuan edhe mbylljen e përkohshme të aeroportit kryesor të Belgjikës, Zaventem, të enjten në mbrëmje, dhe u vërejtën edhe pranë një baze ushtarake.
Knighton shtoi se, megjithëse nuk është e konfirmuar, ishte “e besueshme” që Moska qëndron pas këtyre veprimeve.
Aleatët e NATO-s, përfshirë Gjermaninë, po ofrojnë mbështetje shtesë, ndërsa ministria gjermane e Mbrojtjes njoftoi se do të ndërmarrë masa kundër dronëve pas një kërkese nga Brukseli.
Në muajt e fundit, ndërprerjet e fluturimeve nga dronët janë shfaqur në shumë vende evropiane, përfshirë Suedinë, Norvegjinë dhe Danimarkën. Megjithatë, Kremlini ka mohuar çdo përfshirje në këto incidente, pavarësisht se disa zyrtarë i konsiderojnë ato pjesë të një “lufte hibride”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




