Vala e të nxehtit rrit fluksin në Urgjencën e Spitalit të Shkodrës
Vala e të nxehtit, që po shoqëron këtë sezon veror që në fillimet e tij, ka rikthyer fluksin e lartë të pacientëve në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Shkodrës. Sipas shefit të këtij reparti, mjekut Ardian Dajti, gjatë dy javëve të fundit të qershorit dhe në këto ditë të para të korrikut, në urgjencë paraqiten mesatarisht mbi 130 pacientë në ditë.
Rastet lidhen kryesisht me efektet e temperaturave të larta, por edhe me problematika të tjera shëndetësore.
“Për periudhën që po kalojmë, fillon të ndryshojë edhe specifika e problematikave. Janë pakësuar rastet e sëmundjeve të stinës që kishim më përpara, ndërsa tani kanë filluar të shfaqen probleme të tjera që lidhen me temperaturat e larta. Kryesisht, kemi një rritje të pacientëve me probleme neurologjike ose kardiake. Po kështu, me zgjatjen e ditës dhe rritjen e lëvizjeve për turizëm, është në rritje edhe numri i aksidenteve”, tha mjeku.
Një tjetër faktor që, sipas mjekëve, ndikon në mbingarkesën e këtij shërbimi në Spitalin e Shkodrës është fakti se shumë qytetarë zgjedhin t’i drejtohen urgjencës së spitalit pa kaluar më parë te mjeku i familjes apo shërbimet e poliklinikës, edhe kur nuk bëhet fjalë për raste emergjente.
“Ne kemi kohë që e kemi vënë në funksion shërbimin e poliklinikës dhe janë të hapura të gjitha vizitat ambulatore. Të gjitha specialitetet janë të plotësuara me mjekë. Pra, ata që kanë vizita të planifikuara ose janë të sëmurë kronikë nuk duhet të paraqiten në urgjencë, por duhet të ndjekin sistemin e referimit”, tha mjeku.
Mjekët apelojnë që qytetarët të tregojnë kujdes gjatë ditëve me temperatura të larta, të shmangin qëndrimin në diell në orët e pikut, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe, për problemet shëndetësore jo urgjente, t’i drejtohen fillimisht mjekut të familjes. Kjo do të ndihmonte në uljen e ngarkesës së urgjencës dhe në ofrimin sa më të shpejtë të ndihmës për pacientët që kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




