Vedat Ademi mes Amerikës dhe Shqipërisë, ja balada që synon Eurovizionin
I njohur si këngëtari i baladave, Vedat Ademi ka sjellë gjithmonë tinguj të ngrohtë dhe të ëmbël për publikun dhe fansat e tij. I ftuar në emisionin ‘Çasti i Duhur’ në Radio Televizionin Shqiptar, artisti ka folur për pjesëmarrjen e tij në Festivalin e Këngës, por edhe jetën përtej oqeanit ku ai është zhvendosur së bashku me bashkëshorten dhe dy djemtë e tij.
Ademi tregon se jetesa atje është më e qetë, por ardhjet e shpeshta në Shqipëri nuk e lënë që të përmallet shumë për vendin e tij. Më tej artisti tregon edhe për lidhjen dhe mbështetjen që i jep Dorela, bashkëshortja e tij.
“Dorela e do muzikën, familjen e ka pasur familje muzikantësh dhe e kupton këtë pjesë, është rritur me art, ajo ka qenë mbështetëse për çdo projekt timin, dhe e vlerësoj pa fund. Mund të them se pa mbështetjen e saj nuk do të isha këtu sot, sepse nuk do të isha prezent as në koncerte dhe shumë projekte të tjera”, shprehet artisti.
Vedat Ademi rrëfen se prej dy djemve vetëm njëri prej tyre mund të ketë prirje për muzikën, veçanërisht instrumentin e pianos.
Gjithashtu, Vedat Ademim i cili edhe pse ka eksperimentuar herë pas here në muzikë, duket se shpirti i tij fle tek baladat, teksa edhe në FEST 64 do të sjellë një baladë me titull “Kur fjala mbaron”.
“Kjo këngë më dha emocione që herën e parë. Faktikisht nuk kisha në plan të kthehesha në festival. Kjo edhe për shkak të largësisë me familjen. Unë këtej dhe ata andej, sepse është një angazhim që të merr kohë, por kjo këngë më dha emocione të cilat shpresoj t’ia përcjellë edhe publikut.”, tha ai.
Ademi thotë se çdo artistë merr pjesë në festival me qëllimin te fitorja njëjtë si edhe ai.
“Sigurisht që dua ta shijojë këtë eksperiencë, por pse jo edhe ta fitojë festivalin. Qëllimi është te fitorja, sepse kënga është shumë e fortë dhe mendoj se na përfaqëson edhe në Eurovizion”, tha Ademi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




