Veshjet e traditës, në Gjirokastër prindërit zgjedhin t’ua dhurojnë fëmijëve
Veshjet popullore të zonës së Gjirokastrës tashmë po preferohen gjithmonë e më shumë nga fëmijët dhe të rinjtë. Në qendrat e artizanatit, ku punohen dhe qëndisin kostumet popullore, konstatohet rritje e interesit për veshjet e traditës.
Në pjesën më të madhe janë prindërit që i preferojnë kostumet popullore si dhuratë për fëmijët e tyre.
“Që nga koha që unë kam filluar të punoj me kostumet popullore dhe deri më sot mund të them që kërkesat janë gjithmonë edhe në rritje. Në qoftë se dikur ishin individë të veçantë që kërkonin t’i vishnin për festat e shkollës 28-29 Nëntorit, 1 qershorin apo mbylljen e vitit mësimor, tani janë klasa të tëra të cilat duan të bëjnë mbylljen e shkollës me këto kostume ose dhe festa të tjera brenda klasës të cilat organizohen përsëri me kostume”, tha Lizeta Hatika, artizane e veshjeve popullore.
Preferencat në rritje për veshjet popullore krahas promovimit të tyre mundësojnë transmetimin e këtyre vlerave tek brezat e rinj.
“Këto kostume që bëhen të personalizuara, që ne ju qëndisim nga brenda emrin e atij që do ta veshi, kohën që është prodhuar edhe nga kush është dhuratë, kjo është gjëja më e bukur sepse ajo do të ngelet për një kohë shumë të gjatë në memorien e atij që e merr, por dhe në trashëgiminë e familjes”, u shpreh Hatika.
Veshjet karakteristike zënë një vend të veçantë në traditat shekullore të zonës së Gjirokastrës.
Gazetare: E. Domeri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




