Vetëdorëzohen drejtuesit e klanit të drogës “Farruku”, do ekstradohen në Itali

Dy vëllezërit Kreshnik dhe Erneo Farruku janë vetëdorëzuar në Policinë e Durrësit, pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma për trafik droge.
Dy vëllezërit akuzohen nga drejtësia italiane për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Ndalimi i tyre është bërë me qëllim ekstradimin e tyre në Itali dhe përballjen me drejtësinë atje.
Në dhjetor të 2024, GJKKO konfiskoi 27 pasuri të vëllezërve Kreshnik dhe Erneo Farruku, pjesë të klanit Farruku, me vlerë rreth 1 milion euro. Dyshohej se pasuritë e sekuestruara vinin nga paratë e siguruara prej trafikut të drogës dhe pastrimit të parave. Ndër pasuritë e konfiskuara ishin toka bujqësore, apartamente, automjete dhe biznese, të regjistruara në emër të dy vëllezërve Kreshnik dhe Erneo Farrukut, si dhe të afërmve të tyre.
Ndër pasuritë e konfiskuara numërohen disa prona në Tiranë dhe Durrës, apartamente në ndërtesa luksoze, automjete të markave “Mercedes Benz” dhe “Smart”, si dhe bizneset “Eco Energy System” dhe “Rrotull-Beton”.
Klani Farruku, i përbërë kryesisht nga shqiptarë, njihet nga policia spanjolle që prej vitit 2008 për lidhjet e tij me grabitje banesash, trafik kokaine dhe krime të ndryshme që lidhen me trafikun e drogës.
Drejtuesi i klanit, Kreshnik Farruku, i ka shpëtuar disa herë atentateve, i fundit ishte ai i vitit 2015 në zonë e “Don Boskos” në Tiranë, ku mbeti e plagosur rastësisht një kalimtare.
Në maj 2010, Farruku u arrestua së bashku me shtatë anëtarë të tjerë të bandës në Barcelonë me 20 kg kokainë që po përpiqej ta trafikonte në Itali me makinë. Pas prangosjes së tij, ishte vëllai më i vogël, Erneo, që mori udhëheqjen e grupit, por u arrestua dy vjet më vonë në vitin 2012. Në vitin 2014, Kreshnik Farruku u arratis nga burgu ndërkohë që vijoi që të merrej me trafikun e drogës.
Por në maj të 2019 ai u arrestua në Spanjë. Policia spanjolle e vuri në pranga në një hotel së bashku me vëllain e tij dhe një anëtar tjetër të fisit. Por autoritetet spanjolle po e hetonin Farrukun që prej vitit 2007, kur gjatë një vale grabitjesh me dhunë mbeti i vrarë në vilën e tij biznesmeni spanjoll José Luis Moreno.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




