Vrasja e policit në Maliq, Hita: 40 forca policie ishin në operacion me jelekë antiplumb, do hetohen procedurat e ndjekura
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dhe kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, gjatë një konference për shtyp dhanë detaje mbi ngjarjen tragjike në Maliq të Korçës, ku efektivi i policisë Enea Mekolli mbeti i vrarë dhe kolegu i tij, Edison Adri, mbeti i plagosur me dy plumba në kokë e qafë gjatë një operacioni për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Braçellari.
Skënder Hita deklaroi se nuk kishte pasur dijeni për operacionin dhe se ka urdhëruar nisjen e një hetimi për procedurat e ndjekura nga policia.
“Kam urdhëruar drejtorinë për të nisur hetim për procedurat standarde që janë ndjekur për hetimin e këtij shtetasi në kërkim”, tha ai.
Kryepolici konfirmoi edhe procedurat e vlerësimit me titullin “Dëshmor i Atdheut” për efektivin Mekolli, teksa po vijojnë hetimet për procedimin disiplinor, paralelisht me atë të Prokurorisë.
“Ishin organizuar disa operacione nga policia e Korçës, përfshi edhe forcat speciale por nuk ishte bërë e mundur kapja e tij. Kam urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për të verifikuar punën e kryer nga policia e Korçës dhe pse nuk është kërkuar mbështetje operacionale nga qendra. I përcjell ngushëllimet familjes së efektivit Enea Mekollari. Akti i tij përbën aktin më të lartë të një efektivi policie. Asnjë ngjarje nuk do e përkulë kurrë Policinë e Shtetit”, tha Hita mes të tjerash.
“Duhet të gjejmë kurajon e forcën që të gjithë bashkë të ngrihemi. Do bëjmë më të mirën për t’ju gjetur pranë familjes së tij dhe njerëzve të dashur”, u shpreh ai.
Bazuar në pyetjet e gazetarëve, Hita tha se në operacion ishin të angazhuar 40 forca policie të pajisur me antiplumb si dhe personalisht nuk ka qenë në dijeni të operacionit.
Hita shtoi më tej se procedurat po vijojnë që familjarët të përfitojnë nga statusi i dëshmorit të atdheut, si dhe shprehu ngushëllimet për familjarët e të ndjerit.
“Një punonjës policie i dalluar dhe shembullor ndërroi jetë, dhe mbeti i plagosur një tjetër nga punonjësit e policisë.Jam këtu për të ndarë dhimbjen me familjarët e Enea Mekollit, i cili humbi jetën gjatë operacionit. Në orën 7:30 të mëngjesit, forcat policore kanë mbërritur ku strehohej ky person. Ky person ishte i dënuar me 9 vite nga Gjykata e Korçës, ndërsa në vitin 2011 i ishte caktuar masa arrest me burg për kultivimin e lëndëve narkotike.Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, punonjësit e policisë kanë shkëmbyer zjarr, ku mbeti i plagosur edhe i kërkuari. Për të ishin caktuar edhe operacione të tjera, por nuk ishte bërë e mundur arrestimi i tij.Kam urdhëruar drejtorinë e Përgjithshme për të nisur një hetim për punën që është bërë për të kapur këtë person. Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor.I shpreh ngushëllimet për familjen e Enea Mekollit dhe shërim të shpejtë për kolegun tjetër.Ata që sulmojnë punonjësit e policisë, do të ndëshkohen maksimalisht. Gjaku i Eneas nuk do të harrohet kurrë.Kur është kryer operacioni nuk kam pasur dijeni, ky operacion është kryer nga Policia e Korçës.Punonjësit e policisë janë të gjithë të trajnuar, edhe në këtë rast kanë qenë shërbimet më të specializuara siç janë “Shqiponja”. Në gjykimin e drejtuesve të Drejtorisë Korçë, këto kanë qenë strukturat.Kanë qenë 40 forca policie. Të gjithë kanë qenë me jelek antiplumb, por arma kallashnikov që ka përdorur autori e ka çarë edhe antiplumbin.Patjetër që duhet të bëhet më e mira në këtë drejtim”, tha Hita.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




