Zanati i vjetër që po jeton në Këlcyrë – Hiqmet Mino mban traditën e punimit të vozave prej druri

Sociale | 2 muaj më parë

Në Këlcyrë, aty ku traditat ruhen brez pas brezi, një prej zanateve më të vjetra vijon të jetojë në duart e mjeshtrit Hiqmet Mino. Punimi i vozave prej druri kërkon durim, përkushtim dhe mbi të gjitha mjeshtëri. Në një kohë kur shumë prej zanateve tradicionale po harrohen, Mino vazhdon t’i japë formë drurit, duke ruajtur një traditë të hershme.

“Kam rreth 50 e ca vjet dhe kam punuar me një brigadë goxha të madhe, rreth 10–12 veta. Pastaj mora vetëm këtë degë të vozave, kohët e fundit pas vitit ’90. Fillova me punimin e drurit vetëm për voze, për verë, për raki, për djathë, për dybeqe, për këto punë.”

Vozat prej druri nuk janë vetëm një mënyrë tradicionale ruajtjeje. Për shumë produkte, ato mbeten pjesë e rëndësishme e procesit të përpunimit dhe konservimit, duke u dhënë shijen e veçantë.

“Në qoftë se çdo gjë, ndihjen, ndash bulmetin, e mban në vozë druri, do të thotë se ke bërë gjënë më të mirë për të kuruar veten. Për të kuruar veten, sepse çdo gjë – kripë, aciditet, nikotinat e çka ndash rakia, ndash bulmeti – i thith druri, dhe ajo që të ngelet e ke gjithmonë të pastër.”

Për Hiqmet Minon, ky zanat nuk është thjesht një profesion. Është një traditë që duhet ruajtur dhe përcjellë, sepse vlera e saj nuk matet vetëm me produktin që del nga duart e mjeshtrit, por edhe me historinë që mbart.

Në Këlcyrë, druri vazhdon të marrë jetë në duart e një mjeshtri. Një zanat i vjetër që nuk i është dorëzuar kohës, por vazhdon të jetojë, të kërkohet dhe të përcjellë një pjesë të traditës shqiptare nga një brez te tjetri.

Gazetare: L. Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme