Zjarret në vend, 4 vatra aktive. Përmirësohet situata në Dajt dhe Sarandë. Flakët aktive në Bulqizë, Librazhd, Prrenjas e Selenicë

Aktualitet | 2 muaj më parë

Katër vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vend, ndërsa pesë të tjera janë nën mbikëqyrje, sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes për situatën e zjarreve deri në orën 20:00.

Në rang vendi janë raportuar 24 vatra zjarri, ndërsa në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar edhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter.

Në Qafë të Helmës, Bulqizë, vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Në terren janë 23 forca operacionale nga MZSH Bulqizë dhe strukturat bashkiake. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Malin e Dardhës, Librazhd, zjarri vijon të jetë aktiv në brendësi të terrenit, por nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Malin e Qukësit, Prrenjas, ekipet po punojnë për shuarjen e trungjeve të rrëzuara dhe bimësisë së ulët brenda vatrës. Situata nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Ndërsa në Drashovicë, Selenicë, zjarri vijon në një sipërfaqe pyjore me shkurre. Në terren ndodhen një mjet zjarrfikës dhe tre efektivë të MZSH Selenicë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Situata paraqitet e përmirësuar në vatrat e tjera të raportuara gjatë ditës.

Në Malin e Dajtit, reshjet e shiut kanë ndihmuar në izolimin e vatrave, ndërsa zona do të vijojë të mbahet nën mbikëqyrje. Gjatë ditës në operacionet e shuarjes u angazhuan 38 forca operacionale bashkiake dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në Sarandë, zjarri në kurorën e qytetit është vënë nën kontroll pas ndërhyrjes së forcave të MZSH-së, Policisë, FNSH-së, strukturave bashkiake dhe një helikopteri të Forcave të Armatosura. Megjithatë, edhe kjo zonë vijon të mbahet nën mbikëqyrje për shkak të rrezikut të riaktivizimit të vatrave.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo zonë ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme