Zjarret përfshijnë qarkun Lezhë, disa vatra aktive, 30 efektivë të FA angazhohen për mbrojtjen e banesave

Aktualitet | 2 muaj më parë

Zjarret vijojnë të jenë aktive në disa zona të qarkut Lezhë, ndërsa forcat e emergjencave dhe të Forcave të Armatosura po punojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrave. Në Bashkinë Kurbin, zjarri në fshatin Mal Milot, në njësinë administrative Milot, vijon të jetë aktiv. Sipas informacioneve nga prefekti i qarkut Lezhë, gjatë natës në terren kanë punuar 35 forca bashkiake, 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe katër mjete zjarrfikëse, të mbështetura nga dy autobote për furnizimin me ujë.

Rreth orës 05:45 kanë mbërritur edhe dy mjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura, të cilat kanë nisur operacionin për mbrojtjen e banesave, ndërsa në terren janë angazhuar gjithashtu 30 efektivë të FA-së, të ndarë në dy grupe.

Në Bashkinë Lezhë, zjarri i ardhur nga fshati Vrrith i Pukës vijon të jetë aktiv në malin e Kashnjetit, në drejtim të fshatrave Kashnjet dhe Kalivaç. Në terren ndodhen tre forca të shërbimit pyjor dhe katër punonjës të njësisë administrative. Terreni i vështirë nuk lejon ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse. Në Bashkinë Mirditë, situata paraqitet e ndryshme në disa vatra.

Vatra e zjarrit në fshatin Rraja e Velës, në njësinë administrative Rubik, është izoluar plotësisht. Megjithatë, për shkak se zjarri është riaktivizuar tri herë gjatë dy ditëve të fundit në zona pranë njëra-tjetrës, ajo vijon të mbahet nën monitorim nga katër forca të njësisë administrative Rubik.

Ndërkohë, vatra në fshatin Perlat i Epërm, në njësinë administrative Kthellë, si vijim i zjarrit të Lufajve, mbetet aktive. Për izolimin e saj po punohet me një mjet zjarrfikës, katër punonjës të shërbimit zjarrfikës dhe tetë efektivë të shërbimit pyjor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme