Ministri i Jashtëm i Polonisë për RTSH: Shqipëria, lider në procesin e anëtarësimit

Polonia e konsideron Shqipërinë një aleat të çmuar dhe për këtë vizitën e parë ministri i jashtëm polak Radoslav Sikorski, përpara marrjes së Presidencës 6-mujore të Bashkimit Europian e bëri në Tiranë.
Në një intervistë ekskluzive për Radiotelevizionin Shqiptar për gazetarin Nolian Lole ai tregoi edhe mesazhin e qartë dhe pritshmëritë nga Shqipëria në raport me integrimin.
“Jam në Shqipëri sepse ne vlerësojmë qartësinë morale të Shqipërisë në raport me agresionin rus në Ukrainë. Ne vlerësojmë sinkronizimin e politikës së jashtme shqiptare me atë të Bashkimit Europian por gjithashtu edhe përpjekjet e mëdha që Shqipëria ka bërë në rrugën e integrimit europian. Si udhëheqës i presidencës së ardhshme të Bashkimit Europian doja ta shihja me sytë e mi progresin e bërë nga Shqipëria por edhe t’ju thoja se ne shpresojmë që të hapim një tjetër grupkapitull me ju gjatë presidencës sonë”, u shpreh ministri Sikorski.
Radoslav Sikorski nuk harron të tregojë se ka mundësi bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve, por edhe të bëjë të qartë se si e sheh ai Shqipërinë dhe aspiratën e saj europiane.
“Ju jeni një aleat i mirë yni në NATO, ju jeni tani vendi lider i procesit të anëtarësimit. Disa vite më parë ishit në fund të rreshtit, ndërsa tani jeni në ballë të tij”, shtoi ai.
Sikorski një ish gazetar, ka mbajtur më parë detyrën e ministrit të Mbrojtjes së Polonisë dhe aktualisht është kryediplomat i saj dhe një nga zërat më të fortë kundër agresionit rus të Ukrainës.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




