Në QSUNT realizohet me sukses ndërhyrja me laparoskopi në prostatë

Sociale | 2 vite më parë

Institucionet shëndetësore publike në vend realizuan me sukses ndërhyrjen me laparoskopi ndaj një pacienti 62-vjeçar i diagnostikuar me kancer të prostatës.

Ndërhyrja mini-invazive, që për herë të parë realizohet në Shqipëri, siguron më pak trauma e më pak komplikacione, ndërkohë që pacienti rikuperohet më shpejt në krahasim me ndërhyrjen klasike kirurgjikale.

Lajmin për realizmin me sukses të Prostatektomisë Radikale Laparoskopike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” e dha ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu. Ndërsa shpreh mirënjohjen për ekipin operator, ministrja shkruan në një postim në rrjetet sociale se “ky moment historik për urologjinë shqiptare dëshmon përparimet teknologjike në shërbimin shëndetësor publik“.

“Mirënjohje për ekipin operator, i përbërë nga kirurgu urolog Dr. Shk. Aurel Janko, kirurgu Dr. Orjent Hasanaj, anesteziste-reanimatore Dr. Zamira Hysenaj, instrumentare Eliora Goxhabelliu dhe kryeinfermiere Trendelina Rexhmataj,” thotë znj. Koçiu.

Zmadhimi i prostatës dhe kanceri e për pasojë diagnostikimi i vonshëm mund të çojnë në përkeqësim të cilësisë së jetës së pacientit e në raste të caktuara edhe fatale për jetën.

Problemet e prostatës prekin më së shumti meshkujt mbi 50 vjeç dhe ky fakt konfirmohet edhe nga statistikat botërore, të cilat flasin se 7 në 10 meshkuj preken nga hipertrofia beninje, 1 në 2 nga inflamacioni i prostatës dhe 1 në 7 meshkuj preken nga kanceri i gjëndrës së prostatës.

Gazetare: Albana Agolli

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme