Kategoria e Parë, “luftë” e hapur

Kategoria e Parë ka dhënë tre verdikte pesë javë para përfundimit, me Burrelin në play-off dhe Valbonën e Erzenin të rënë. Në ndeshjet e mbetura tri të parat luftojnë për ngjitjen direkt në Abisnet Superiore, ndërsa gjashtë skuadra enden midis shpresave për ngjitje dhe rrezikut të rrëzimit në Kategorinë e Dytë.
Pesë javë para përfundimit të sezonit të rregullt, Kategoria e Parë tashmë ka dhënë tre verdikte, me sigurinë matematike të pjesëmarrjes në play-off të Burrelit, si dhe për rënien e Valbonës dhe Erzenit në Kategorinë e Dytë për sezonin e ardhshëm. Matematikisht play-offin e kanë siguruar edhe tri skuadrat e para të renditjes, Vora, Flamurtari e Besa, por secila prej tyre ka synimin dhe mundësinë për të siguruar një nga dy vendet e para, që të çon direkt në Abissnet Superiore.
Matematika ua lejon të trejave, megjithatë Vora ka nëntë dhe Flamurtari shtatë pikë më tepër se Besa, distanca të konsiderueshme kur kanë mbetur edhe pesë javë për t’u luajtur. Gjithsesi, në këto pesë javë, Besa i pret dy të parat në shtëpi, ndërsa javën e fundit Flamurtari viziton Vorën, çka e mban, të paktën teorikisht, të hapur luftën.
Gjashtë skuadra të tjera, kush më shumë e kush më pak, janë në luftë për gjithçka, si për një vend në play-off ashtu edhe për një vend në play-out. Lushnja e Pogradeci kanë nga 37 pikë, por në javën e ardhshme vizitojnë përkatësisht Vorën e Flamurtarin, ndërkohë që Apolonia, tri pikë poshtë tyre, shkon në Kukës.
Ky i fundit, me 28 pikë, dhe Korabi, me 29, janë skuadrat që aktualisht mbajnë dy vendet e play-out-it. Sipër tyre Kastrioti, që në javën e 29-të viziton Valbonën, pas katër humbjeve radhazi me katër skuadrat e vendeve të para në renditje.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



