Rama: Vota e 11 majit është gjeopolitike për hyrjen në BE, nuk mund të jemi “delja që e ha ujku”

Kryeministri Edi Rama ka theksuar rëndësinë e votës së 11 majit për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar atë si një “votë gjeopolitike” dhe një moment historik për të ardhmen e vendit. Në rubrikën e tij “Sy m’Sy” Rama tha se ky proces është një çështje ekzistenciale për Shqipërinë dhe nuk mund të mbetet jashtë Evropës.
“Më 11 maj është një votë gjeopolitike, e shikoni se çfarë situate komplekse është Europa dhe futja në atë familje evropiane është çështje ekzistenciale, s’mund të rrimë jashtë, s’mund të jemi “delja që e ha ujku”, tha Rama.
Rama nënvizoi se historia e Shqipërisë ka qenë gjithmonë e lidhur me Europën, pavarësisht se Bashkimi Evropian si entitet nuk ekzistonte në periudha të ndryshme historike. Ai e cilësoi votën e 11 majit si mundësinë për të kontribuar në realizimin e një ëndrre të gjatë të shqiptarëve, duke thënë se “aty duhet të rrimë, aty e kemi vendin”.
“Aty duhet të rrimë, aty e kemi vendin, aty kanë dashur ta shohin të parët tanë që në kohën e Skënderbeut kur s’kishte BE por kishte Europë, në kohën e Rilindasve kur s’kishte BE, por kishte Europë kur Naim Frashëri thoshte dielli lind në Perëndim, kur mbaroi lufta botërore Europa ishte aty, por s’kishte BE, edhe kur ra komunizmi Europa ishte aty dhe e kërkuam. Ndaj më 11 maj të votojmë për hyrjen në Bashkimin Evropian, ka arsye politike por ka dhe arsye personale. Nuk ka rëndësi se kur më mbaron mandati, por rëndësi që të mbyllen negociatat në 2027”, tha ai.
Kryeministri shtoi se ky nuk është momenti për të pasur fokus vetëm te partitë politike, por për të pasur vëmendje të plotë tek negociatat për anëtarësimin në BE.
“Në 11 Maj të gjithë duhet të fokusohen te negociatat dhe jo të partitë. Kur të mbyllen negociatat në 2027, më pas komisioni i dorëzon 27 vendeve raportin që Shqipëria mbylli negociatat dhe për ne është shtet i ri i BE. Dhe 27 parlamentet do të ngrenë dorën dhe pranojnë Shqipërinë. Flasim për historinë sot, apo sa bëjnë 7×7. Historinë më 11 Maj çdo shqiptar mund të japë një dorë që ta shkruajmë së bashku. PS është thjesht forca e duhur në vendin dhe në kohën e duhur”, u shpreh kryeministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




