Nuk e lejua t’i jepte lamtumirën e fundit, Hashim Thaçi merr leje nga Gjykata Speciale, viziton varrin e të atit

Kosovë | 2 vite më parë

Ish-presidenti Hashim Thaçi, është lejuar të shkojë në Kosovë për të vizituar varrin e të atit, 3 ditë pas ceremonisë mortore ku nuk u lejua t’i jepte lamtumirën e fundit.

Thaçi ka vendosur kurorë me lule në varrin e të atit në fshatin Burojë të Skënderajt , ndërsa ai u lejua vetëm të takohej me të vetëm në momentet e fundit në spital.

Lajmin për lejimin e Thaçit e ka bërë të ditur Nasim Haradinaj, ish-nënkryetari i OVL të UÇK-së, i cili shkruan në facebook  se “e sollën sot në kohë të pa kohë, sa për sy e faqe e që nuk e kanë asnjë pikë në vetveten e tyre e le më ajo njerëzorja që ju mungojnë në total”.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, siç quhet Gjykata Speciale e Hagës për gjykimin e krimeve që pretendohet se janë kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë, nuk i kanë dhënë leje ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.

Fakti që ish-presidentit nuk iu dha leje, u cilësua absurd nga Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila theksoi se proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta dhe të bazuara mbi respektimin e të drejtave themelore të njeriut.

Që nga fundi i vitit 2020, Hashim Thaçi ndodhet në qendrën e paraburgimit të Gjykatës në Hagë, ku së bashku me ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, po gjykohen për krime lufte.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme