Vlorë, Rama: Më 11 maj kemi në dorë fatin historik për t’u bërë anëtarë të BE-së brenda kësaj dekade

Kryeministri Edi Rama, nga Vlora deklaroi se më 11 maj ne kemi në dorë fatin historik të shfrytëzimit të një mundësie reale për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade dhe me mandatin e katërt të PS-së për të përfunduar negociatat e anëtarësimit dhe për t’i dhënë të gjithëve ju pasaportën e BE-së.
Këtë deklaratë kryeministri Rama, njëkohësisht edhe kryetar i Partisë Socialiste, e bëri gjatë një takimi me të rinjtë në Vlorë, ku u prezantuan kandidatët socialist të Qarkut të Vlorës për në zgjedhjet e 11 majit 2025.
“Dua ti falënderoj të rinjtë që na janë bashkuar në këtë përpjekje që, siç jam munduar ta them e përsëris, është një përpjekje përtej të gjitha atyre që janë temat e një fushate të zakonshme elektorale. Kjo sepse më 11 maj ne kemi në dorë fatin historik, të shfrytëzimit të një mundësie reale, për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade. Me mandatin e katërt të PS-së, për të përfunduar negociatat e anëtarësimit dhe për tu dhënë të gjithëve ju pasaportën e BE-së”, tha Rama.
Sipas tij, është krenari që ka një përfaqësi të larmishme të rinjsh Vlorës, si dhe të gjithë qarkut të Vlorës”.
“Më shumë se asnjëherë në këtë vite, të paktën për nga përmbajtja e vet, kjo është një fushatë dhe janë një palë zgjedhje, ku ata që votojnë për herë të parë, kanë fatin të jenë të interesuarit e parë për rezultatin e 11 majit, sepse realisht, ata i janë bashkuar për herë të parë yllit të fatit tonë me yllin e fatit të BE-së. Nuk jemi vetëm ne që, si gjithmonë, kemi ëndërruar, kemi dashur, kemi bërë të gjitha përpjekjet për të qenë pjesë e familjes së bashkuar evropiane. Sot, për arsye që nuk lidhen vetëm me ne, por që lidhen me ata vetë, janë edhe ata anëtarët e asaj familjeje që duan që ta marrin Shqipërinë sa më parë në BE”, theksoi Rama.
Sipas tij, Komisioni i mëparshëm Evropian, përpara sesa të vinte i Ursula von der Leyen me Komisionin e ri, e hoqi zgjerimin nga agjenda dhe deklaroi që për 5 vite nuk do ketë zgjerim, duke bërë një frenim të përgjithshëm të procesit.
“Sot, për arsye gjeopolitike që janë përtej nesh, KE dhe BE duan të marrin në familjen e tyre anëtarë të rinj”, tha Rama.
Sipas kreu të qeverisë, nëse më 11 maj Shqipëria i jep Evropës mesazhin popullor që ne e kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë deri në 2027-ën dhe duam të jemi në BE, me një shumicë që del nga kutia e votimit, që është një shumicë që bën përshtypje, që bën presion mbi ta pozitiv, kjo është ajo që duhet.
“Por, nëse Shqipëria jep një mesazh që populli këtu merret me mustaqet e Kujtim Gjuzit dhe njerëzit këtu, disa nuk e kanë shumë problem këtë gjë. Se ca thonë: “Po ne e kemi pasaportën evropiane”. Jo, mo, s’keni pasaportën evropiane. S’kemi ne pasaportën evropiane. Ne kemi pasaportën shqiptare që na jep lirinë të lëvizim në Evropë, por nuk na jep lirinë të ndalojmë në Evropë. Kush do të ndalojë atje, duhet të shkojë të kërkojë azil. Ndërkohë, që kur ke pasaportën e BE-së, siç e kanë të tjerët, ku nuk numërohen ata kur lëvizin, sepse ata lëvizin brenda shtëpisë së vet. Nuk është fjala këtu fiton apo s’fiton PS. Shqipëria anëtarësohet në BE dhe çdo shqiptar merr pasaportën e BE-së dhe në atë moment Shqipëria bëhet e madhe sa BE-ja dhe BE-ja bëhet e vogël sa Shqipëria”, tha Rama.
Epoka e barazisë para ligjit
Kryeministri tha se rivalët politikë s’e kanë dashur kurrë reformën në drejtësi dhe kanë premtuar shkrirjen e SPAK-ut.
Ai solli si ilustrim rastin e 21 janarit, ku tha se ish-kryeministri i asaj periudhe i dha urdhër policisë të mos zbatonte urdhrat e prokurorisë gjë që, sipas tij, “nuk ndodh më sot”.
‘Sot ne jemi në kushtet ku po shohim fillimin e një epoke barazie para ligjit. Duhet të shkoj njësoj para ligjit edhe një pushtetar kur shkel ligjin. Ne kemi njerëz që thirren nga prokuror të pavarur dhe gjykohen nga gjykatës të pavarur dhe s’ka asnjë forcë që mund ti ndalojë. Altin Dumani ka qenë këtu, ka qenë disa vite prokuror, e keni dëgjuar ju të thërriste ndonjëherë ndonjë pushtetar, kur janë vrarë njerëz? I pari i qeverisë i dha urdhër policisë të mos i zbatoni urdhrat e prokurorisë. Mendoni ju sot që unë të dal të ndaloj urdhrin e prokurorisë? S’e bëj dot. Kjo sepse unë dhe PS e kemi ndarë mendjen që këtij vendi ti japim një drejtësi të pavarur. Jemi ne që e kemi ndërmarr reformën në drejtësi. As amerikanët dhe as evropianët. Nëse nuk bëhet barazia para ligjit, jo vetëm që s’do futemi në BE, por s’do bëjmë dot prokopi. Ata tjerët thonë na jepni votën në 11 maj dhe në 12 shkrijmë SPAK’, tha ai.
Kryeministri Rama tha se drejtësisë shpatën në dorë ja ka dhënë Partia Socialiste, duke nënvizuar se socialistët që kanë probleme me drejtësinë numërohen me gishtat e dorës, por mbështetësit e reformës janë 1 milion.
“Shpata qe e ka në dorë drejtësia ka qenë tek zyra ime. Edhe kur ka qenë mbretëri, edhe në komunizëm, shpata ka qenë aty. Por ishim ne që ja dhamë drejtësisë shpatën në dorë. Ne e dinim se duke dorëzuar shpatën kemi vënë në dispozicion edhe trupin, sepse ajo është për të ndëshkuar ata që abuzojnë me pushtetin. Atyre që thonë socialistët janë në burgje na marrin të keqen, sepse ata që janë para drejtësisë numërohen sa gishtat e dorës, kurse në që luftojmë për drejtësinë mund të bëhemi edhe 1 milion. Nëse futemi në BE të gjithë janë të barabartë para ligjit, sepse jemi në një familje ku si janë shumica prej jush janë të varur nga prindërit’, tha ai.
Përfitimet duke qenë në BE
Kryeministri Rama renditi edhe përfitimet e shqiptarëve pasi Shqipëria të futet në Bashkimin Evropian.
“Nuk duhet shumë njohuri për BE për të parë që ka pasur sjellje të ndryshme ndaj idesë për zgjerimin. Sot KE dhe BE duan të marrin në familjen atyre një anëtar të ri. Ju do thoni si nuk mjaftuan 12 vite, duhet t’i referoheni faktit që Mali i Zi i ka filluar negociatat në 2012, ne i kemi filluar vjet. 27 vendet anëtare nuk binin në një mendje, thoshte Holanda, e cila kishte hallin e zgjedhjeve atje dhe i duhej të sillej ashpër me idenë e zgjerimit. Pastaj ndodhi historia e Himarës dhe ju e dini si arritëm në momentin kur u hap rruga. Nuk do rrijë hapur pafundësisht dhe mund të mbyllen dyert dhe për 10 vite të tjera. Të shkosh sot nga Vlora në Berlin shkon, por kur të shkosh atje do të pyesin kur do ikësh, sa lekë ke. Ndërkohë me pasaportën e BE kalon te ai tuneli i yjeve dhe futeni duke treguar ja ku është pasaporta. Ti mund të qëndrosh aty sa të duash dhe të trokasësh për të kërkuar një punë me atë pasaportë.” u shpreh Rama.
Njohja e pensioneve
Kryeministri foli edhe për njohjen e pensioneve me Greqinë. Ai tha se në momentin që vendi anëtarësohet në BE pensionet do të njihen automatikisht për shqiptarët që jetojnë në Greqi.
“Ne sot kemi kërkesa pafund nga shqiptarët në Greqi që kanë merakun që tu njihen pensionet si ju njohën atyre në Itali. Me pasaportën e BE, të gjithë shqiptarët në Greqi menjëherë fitojnë të drejtat që kanë grekët në Greqi, jo vetëm t’ju njihen pensionet, por bëhen edhe të bëhen të transferueshme.” tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




