Plani i Rritjes, Shqipëria merr 64.5 mln euro parafinancim. Gonzato: Nxit ekonominë dhe forcon ligjin drejt rrugës së integrimit

Ekonomi | 2 vite më parë

Shqipëria ka marrë një pagesë parafinancimi prej 64.5 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ky parafinancim do të mbështesë reformat dhe investimet e Shqipërisë për të forcuar vendin dhe për ta afruar atë me Bashkimin Evropian.

Sipas Ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, ky hap është një moment i rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Ai shtoi se ky plan do të nxisë rritjen ekonomike, do të mbështesë zhvillimin e një Shqipërie më të gjelbër dhe do të fuqizojë sundimin e ligjit.

“Urime Shqipërisë për arritjen e një tjetër momenti  të rëndësishëm në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE. Plani i Rritjes nxit ekonominë, forcon sundimin e ligjit, mbështet një Shqipëri më të gjelbër dhe fuqizon kapitalin njerëzor. BE qëndron me Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit. Bashkimi Evropian qëndron në krah të Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Plani i Rritjes e ndihmon Shqipërinë për të arritur këtë qëllim dhe për ta afruar ekonominë shqiptare me atë të Bashkimit Evropian përpara se Shqipëria të bëhet anëtare. Ne po e mbështesim Shqipërinë që të konsolidojë shtetin e saj të së drejtës, të zhvillojë infrastrukturën, ekonominë e saj të gjelbër, kapitalin njerëzor dhe biznesin e saj privat. Evropa është këtu për të mbështetur rritjen e qëndrueshme dhe kohezionin social ndërsa Shqipëria përgatitet për të hyrë në tregun unik të BE-së”, tha Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato.

“Ne e vlerësojmë këtë si një shenjë të qartë besimi nga BE-ja në rrugën e reformave të Shqipërisë dhe progresin e qëndrueshëm drejt anëtarësimit në familjen evropiane. Ne e kuptojmë plotësisht madhësinë e kësaj mundësie historike, si dhe angazhimet e ardhshme, dhe jemi energjikisht të motivuar dhe të përgatitur për të vazhduar reformimin dhe përmbushjen e zellshme të kritereve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha kryenegociatorja Majlinda Dhuka.

Shqipëria ka marrë 30 milionë euro kredi koncesionare për buxhetin e shtetit, që do të përdoren për zbatimin e reformave. Ndërsa 34.5 milionë euro do të investohen në infrastrukturë përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).

Në total, deri në vitin 2027, Shqipëria mund të marrë deri në 922.1 milionë euro nga Mekanizmi i Reformës dhe Rritjes për të financuar reforma në fushat e shtetit të së drejtës, energjisë së rinovueshme, ekonomisë digjitale dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor. Këto fonde do të çojnë përpara procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe do të ofrojnë mundësi për përfitime të hershme nga integrimi në tregun e përbashkët evropian.

Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor ofron një udhërrëfyes për t’i afruar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian dhe lehtëson qasjen graduale në tregun unik, duke u mundësuar qytetarëve në Ballkanin Perëndimor të korrin disa përfitime të hershme nga integrimi në BE, si dhe mbështet integrimin e mëtejshëm ekonomik rajonal.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme