Emigrantët në Gjadër, Brukseli “pro” planit të ri të Melonit për qendrat e strehimit në Shqipëri
Brukseli i ka hapur rrugë planit të ri të kryeministres italiane për qendrat e strehimit të emigrantëve në Gjadër. Këtë e konfirmoi agjencia e njohur e lajmeve europiane, “Europa Today,” në artikullin e saj ku shkruan se ideja e Xhorxha Melonit ka marrë tashmë miratimin fillestar nga Brukseli, duke iu referuar një zëdhënësi të Komisionit, i cili deklaroi në konferencën e përditshme për shtyp se ky vendim është parimisht në përputhje me ligjin evropian, pasi në qendër do të zbatohet legjislacioni italian dhe se Brukseli po monitoron zbatimin e protokollit Itali-Shqipëri, duke mbajtur kontakt të vazhdueshëm.
Qeveria e Melonit ka miratuar një dekret për transformimin e objekteve shqiptare në qendra të ndalimit të riatdhesimit, ku emigrantët që kanë marrë urdhra dëbimi do të transferohen ndërsa presin riatdhesimin e tyre aktual, shkruan “Europa Today.” Dekreti i miratuar nga qeveria italiane të premten që shkoi, i lejon Italisë të transferojë në Shqipëri edhe migrantët që presin dëbimin dhe që nuk kanë më të drejtë për azil. Masa parashikon që ata të qëndrojnë në këto struktura deri në 18 muaj, koha e nevojshme për përfundimin e procedurave të dëbimit në vendet e tyre të origjinës.
Në reagimin e saj, Meloni tha se Bashkimi Europian propozon sot krijimin e qendrave të riatdhesimit në vendet e treta, çka do të thotë se qeveria italiane kishte të drejtë dhe guximin për të nisur këtë rrugë. Ndryshimi i funksionit të qendrës së emigrantëve në Gjadër është në përputhje edhe me planin e Komisionit Europian, që lejon vendet anëtare të arrijnë marrëveshje për ngritjen e qendrave të riatdhesimit të emigrantëve të jashtëligjshëm me vendet që nuk janë pjesë e Unionit. Kampi i Gjadrit do të ketë këtë funksion, të paktën deri kur Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut të përcaktojë se cilat konsiderohen vende të sigurta origjine, një listë që do të ketë fuqi për gjithë Bashkimin Europian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




