E djathta ekstreme e Francës bën thirrje për tubim në Paris në mbështetje të Le Pen

Botë | 2 vite më parë

Udhëheqësi francez i ekstremit të djathtë Jordan Bardella u ka bërë thirrje njerëzve të mblidhen në qendër të Parisit të dielën, në shenjë proteste kundër një vendimi që ka ndaluar Marine Le Pen të kandidojë për poste publike për pesë vjet.

Përpjekja e Le Pen për t’u bërë presidentja e ardhshme e Francës në vitin 2027 mori një goditje dramatike të hënën, kur gjyqtarët thanë se ajo kishte qenë në qendër të një operacioni për përvetësimin e 2.9 milionë eurove  të fondeve të BE-së midis 2004 dhe 2016.

Bardella, presidenti i partisë Tubimi Kombëtar (RN), tha se francezët duhej të ishin “të indinjuar” nga dënimi.

“Ne do të dalim në rrugë këtë fundjavë”, tha Bardella gjatë një konference shtypi të martën, me një thirrje për “mobilizime demokratike, paqësore, të qeta”. Ngjarja e parë është planifikuar në Place Vauban afër Kullës Eifel të dielën.

Më herët të martën, Bardella dënoi “tiraninë e gjyqtarëve” dhe tha se “gjithçka po bëhej për të na ndaluar të vijmë në pushtet”.

Le Pen po përgatitej për të kandiduar për presidencën për herë të katërt dhe kishte një shans të mirë për të fituar.

Përveç ndalimit për të kandiduar për poste publike, Le Pen iu dha gjithashtu një gjobë prej 100,000 eurosh dhe katër vjet burg, nga të cilat dy do të pezullohen.

Ky vendim nuk do të zbatohet derisa të shterohet procesi i apelimit, i cili mund të zgjasë disa vite.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme