Të privuar nga e drejta e votës, avokati penalist Stefan Topalli tregon kush përjashtohet
Teksa Ministria e Brendshme publikoi listën e përfundimtare të zgjedhësve, e ku deklaroi se mbi 1 mijë prej tyre do të privohen nga e drejta kushtetuese për të zgjedhur, Stefan Topalli, avokat penalist, sqaron për Radio Televizionin Shqiptar se cilët janë ata të dënuar, që nuk mund të votojnë në zgjedhjet e 11 majit.
“Janë personat e dënuar me vendim të formës së prerë për vepra të rënda, për krime, vrasje, vrasje me dashje, e një funksionari të lartë shtetëror, persona që kanë kryer vepra penale të parashikuara nga Neni 76, 79, sikurse edhe persona të tjerë që kanë kryer vepra penale, si marrëdhënie seksuale me dhunë, me të mitur; shitja e lëndëve narkotike, pjesëmarrja në organizata kriminale ose shpërdorimi i detyrës,” tregon z. Topalli.
Sipas tij, pjesa tjetër e personave që kanë vendbanim të përkohshëm në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund ta ushtrojnë të drejtën për të votuar.
“Të tjerët që nuk kanë akoma një vendim të formës së prerë, edhe pse janë të dënuar në shkallë të parë, kanë të drejtën e votimit, sepse prezumohet e drejta e përfaqësisë,” shprehet avokati.
Në zgjedhjet e 11 majit pritet që të hapen qendra votimi edhe në burgje, ku numri i të burgosurve dhe i të paraburgosurve, që do të mund të marrin pjesë në zgjedhje, është mbi 3 mijë.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve prej kohësh e ka nisur punën për krijimin e infrastrukturës zgjedhore, si dhe pajisjen me dokumente identifikimi të vlefshme për të gjithë individët, që do të mund të bëhen pjesë e procesit dhe e kanë të drejtën kushtetuese për të votuar.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



