Kërcënimi i ri tarifor i Trump, reagon Kina: Do luftojmë deri në fund

Presidenti i SHBA Donald Trump ka kërcënuar Kinën me një tarifë shtesë prej 50% për mallrat e importuara në Amerikë nëse Pekini nuk tërheq planet e tij për t’u hakmarrë.
Ministria e Tregtisë e Kinës ka thënë se nuk do ta pranojë kurrë “natyrën shantazhuese” të SHBA-së dhe u zotua të luftojë kundër tarifave “deri në fund”.
Disa firma shtetërore kineze janë zotuar të mbështesin tregjet financiare ndërsa tensionet tregtare me SHBA-në përshkallëzohen. Rregullatori financiar i Kinës planifikon gjithashtu të rrisë përqindjen e fondeve të sigurimit që investojnë në tregun e aksioneve
Në shkurt, Trump vendosi një tarifë të re 10% për të gjitha mallrat nga Kina.
Pekini u kundërpërgjigj menjëherë me një sërë kundërmasash, duke përfshirë detyrimet për qymyrin amerikan, gazin natyror të lëngshëm dhe makineritë bujqësore.
Muajin pasues, Trump dyfishoi tarifën për mallrat kineze në 20%.
Përsëri, Kina u hakmor me më shumë tarifa deri në 15% për produktet kryesore bujqësore amerikane dhe forcoi kontrollet mbi firmat amerikane që operojnë në vend.
Javën e kaluar, presidenti amerikan zbuloi planet për të rritur taksën e importit për mallrat kineze në 54%, megjithëse disa artikuj, si farmaceutikët dhe çipat kompjuterikë, u përjashtuan.
Përsëri, Pekini u përgjigj me masa të reja, duke përfshirë kontrolle shtesë të eksportit për mineralet e rralla të tokës dhe pezulloi importet e më shumë mallrave bujqësore nga disa firma amerikane. Ajo gjithashtu ngriti një padi në Organizatën Botërore të Tregtisë, shtoi 27 firma amerikane në listat e kompanive që përballeshin me kufizime tregtare dhe filloi një hetim antimonopol ndaj DuPont China Group Co.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




