“Vespucci” mbërrin në Durrës, në anijen italiane ekspozohet trofeu i “Giro d’italia”

Aktualitet | 2 vite më parë

E konsideruar si një ndër anijet më të bukura në botë, “Amerigo Vespucci” mbërriti të martën në Durrës, ndalesa e parë e turit të saj mesdhetar.

Anija e Marinës Ushtarake italiane u prit nga ambasadori Marco Alberti.

Në bordin e saj pritet të mbahen fjalët e nderit nga komandanti i saj, nga kryeministri Edi Rama, si dhe përfaqësues nga Ministritë e Mbrojtjes të të dyja vendeve, nga Marina Ushtarake Italiane dhe drejtuesi i RCS Sports & Events, Paolo Bellino.

Prezantimi i z. Bellino pritet të jetë nesër në kuadër të aktivitetit sportiv Giro d’Italia 2025. Etapat e para të kësaj gare do të hapen nga Shqipëria, në datat 9, 10 dhe 11 maj, duke nisur me qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës. Në anije është krijuar edhe një ambient i veçantë, ku do të ekspozohet Trofeu “Senza Fine” i eventit sportiv.

Gjatë ditës janë planifikuar takime dypalëshe mes ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe homologut Guido Crosetto.

Në bordin e “Amerigo Vespucci” prej korrikut 2023 kanë shkelur mbi 43.300 persona për ta vizituar, ndërsa anija ka prekur brigjet e gjithë kontinenteve. Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, ka ftuar qytetarët ta vizitojnë atë në datat 9–10 prill nga ora 14:00 deri në 20:30.

E ndërtuar në vitet 1920 dhe e emërtuar në nder të eksploruesit italian që zbuloi Amerikën, “Amerigo Vespucci” është një anije shkollore me vela rreth 101 m e gjatë, e ndërtuar për të trajnuar kadetët e Akademisë Detare të Italisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme