Rama: Në mandatin e katërt të qeverisjes së PS do të bëhet rruga Berat–Skrapar

Zgjedhje 2025 | 2 vite më parë

Kryeministri Edi Rama, në kuadër të fushatës elektorale që ai po zhvillon në Qarkun e Beratit, premtoi se në mandatin e katërt të qeverisjes së socialistëve, do të bëhet edhe rruga Berat- Skrapar.

Sipas tij, ky nuk është thjeshtë një premtim elektoral, por është pjesë e programit të PS-së.

“Shpresoj dhe besoj në mirëkuptimin tuaj, në durimin tuaj, por me mandatin e katërt ka ardhur edhe koha edhe e rrugës Berat-Skrapar, e cila ne synojmë që ta bëjmë. Unë nga rruga erdha. Nuk është fort e lehtë që të bëhet për 30 minuta maksimumi nga Berati në Skrapar dhe paralelisht të bëjmë edhe lidhjen e Beratit me Përmetin. Ju këtu me kanione dhe gjithë këto bukuri të keni do keni edhe një tjetër destinacion të zhvilluar turistik të Shqipërisë, pa llogaritur që përshkruhet vetëm për dy orë deri në Janinë apo në Tiranë”, tha Rama.

Rama u ndal edhe tek zhvillimi i turizmit në Skrapar.

“Me të gjitha zhvillimet e turizmit dhe me gjithë potencialet që ka Skrapari, që me fillimin e punës për rrugën e re, menjëherë do të shtohen vlera e tokave dhe e pasurive këtu dhe shumë nga ata që kanë ikur, por janë shumë të lidhur, do të rikthehen”, tha Rama duke shtuar se skraparllinjtë lidhjen me rrënjët e kanë shumë të fortë.

“Paketa e maleve që e ne kemi miratuar në Parlament, një program i ri për mbështetjen e fshatit e atyre që duan të investojnë në shtëpinë e të parëve në tokat e të parëve është një program që i shkon më së miri kësaj zone. Prandaj me ndihmën e Ervin Demos, që tanimë do ta keni edhe deputetin tuaj në Parlament, me ndihmën e kryetarit të bashkisë, Adritatik Mema, ne do të organizohemi që të bëjmë të mundur që ata të cilët duan të përfshihen në këtë program të kenë mundësi të informohen e të përfshihen”, tha Rama.

Reforma në Drejtësi

Në fjalën e tij Rama foli për reformën në drejtësi, duke theksuar se ajo që është arritur është vendosja e barazisë para ligjit e të gjithëve.

“Ne nuk mund të lejojmë që historia të rikthehet aty ku ishte. Historia duhet të shkruhet si një histori e bashkimit përfundimtar të Shqipërisë me Evropën. Vetëm duke e futur Shqipërinë në BE ne mund të garantojmë për brezat që vijnë se barazia para ligjit bëhet e shenjtë, e paprekshme dhe askujt nuk mund t’i shkojë më mendja që të përdorë votën e qytetarëve për ta bërë përsëri Shqipërinë një vend ku ligji është i fortë me të dobëtin dhe të fortët e nënshtrojnë ligjin. Kjo është një histori që, siç e shihni, ne po përpiqemi t’i japim fund. Ju e dëgjoni kur thonë: çfarë është kjo punë kështu? Çfarë kërkon ky njeri, – për mua domethënë, – çfarë kërkojnë këta që kanë gjysmën e qeverisë në burg? Domethënë këta kujtojnë se duke përdorur këtë lloj propagande populli do harrojë se kush e donte dhe kush nuk e donte reformën në drejtësi; kush e bëri dhe kush bëri çmos ta pengojë; kush është këtu për ta garantuar më tutje dhe kush është këtu për ta përmbysur.

Atëherë unë thosha: ky është momenti ynë historik për të bërë një reformë dhe për të pasur një drejtësi që të godasë majtas dhe djathtas. Natyrisht, unë e dija shumë mirë që majtas ishim ne, kush ishte majtas dhe patjetër që sot do të ishte tradhti e madhe ndaj jush, tradhti e madhe ndaj popullit nëse ne nuk do të kishim arritur që drejtësia të jepte shembuj se nuk do t’ia dijë nëse je i lidhur me pushtetin. Nëse ke punë me ligjin do të shkosh para ligjit”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme