Berisha-Ramës: Pse nuk u rritën pensionet, siç bënë fqinjët, që nga 2013-a dyfishove çmimet

Zgjedhje 2025 | 2 vite më parë

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama nga Saranda se pse nuk i rriti pensionet ashtu siç bënë vendet fqinje.

Sipas Berishës, sot pensionisti, punëtori në ndërtim, punëtori i fermës, sot, mjeku, mësuesi, inxhinieri, profesionisti, “jeton me një pension i cili çdo ditë e më shumë vështirëson ushqimin e përditshëm”.

 “Miq, nuk do të harrojmë një gjë. Ne që jetuam ditkaturën staliniste të Enver Hoxhës, ne e përmblidhnim atë me një term të përgjithshëm, diktaturë. Por, në fakt ajo ishte diktaturë e luftës së klasave, por ishte po kaq diktaturë me tiraninë e mjerimit dhe të varfërisë që iu impononte shqiptarëve me hiperkolektivizimin e vet.

Sot, nuk ka hiperkolektivizim. Por, sot, pensionisti, punëtori në ndërtim, punëtori i fermës, sot, mjeku, mësuesi, inxhinieri, profesionisti, jeton me një pension i cili çdo ditë e më shumë vështirëson ushqimin e përditshëm. I cili, e detyron atë, t’u thotë nipërve, mbesave: shkoni, se kaq kam. Këtu nuk ka më për ju! Merrni rrugët e botës”

Berisha tha se që nga viti 2013 janë mbidyfishuar çmimet e ushqimeve bazë. Me dyfishimin e çmimeve, sipas Berishës, sot një pensionist duhet ta kishte një pension 390 mijë lekë.

 “Si ka mundësi që, përsëri u rikthye pa mëshirë skamja, varfëria ekstreme? Po, po! Sepse, çmimet nga viti 2013 gjer sot, janë mbidyfishuar ushqimet dhe gjërave bazë. Litri i qumështit është dy herë më shumë, kilogrami i mishit po kështu, buka po kështu dhe ushqimet me radhë. Ekonomistët kanë faktuar se në qoftë se, pensioni duhet të ndiqte rritjen e çmimeve, të ishte pak më shumë, ai sot duhet të ishte 390 mijë lekë.

Pra, një pensionist që merrte në vitin 2013 një pension 143 mijë lekë, për të jetuar sot siç jetonte atë vit, duhet të kishte një pension 390 mijë lekë. Pse nuk ndodhi kjo?  Çfarë pati Shqipëria që nuk ndodhi? Pati ndonjë luftë? Jo, nuk pati. Çfarë pati ky vend? Ky vend pati vetëm një gjë.

Këta qytetarë u vodhën, u vodhën, sa asnjë qytetar tjetër në Europë. Po, pse qytetari i Malit të Zi, që merrte një pension 138 mijë lekë në 2013, merr sot, 450 mijë? Pse qytetari i Maqedonisë së Veriut, që merrte një pension 130 mijë lekë në vitin 2013, merr sot 380 mijë lekë?

Po pse, qytetari serb, që merrte në vitin 2013, një pension 135 mijë lekë, merr sot 405 mijë lekë? Pse këta? Këta nuk patën kryeministra, si puna e ëktij që t’u thotë: shqiptarët janë dembela. Çfarë dembelash janë pensionistët? Të vret Zoti të nxjerrësh një fjalë të tillë për ta. Por, je hajdut ti, i vjedh ti dhe nuk u jep paratë që meritojnë”, tha më tej Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme