Greqi, do të shpërthente bankën, 38-vjeçarja vdes pasi i plas bomba në duar

Rajon | 2 vite më parë

Një grua 38-vjeçare ka humbur jetën në Selanik të Greqisë, pasi një bombë që ajo po mbante me vete shpërtheu në duart e saj.

Sipas raportimeve të policisë greke, ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së shtunës, ndërsa gruaja dyshohet se po përpiqej të vendoste mjetin shpërthyes pranë një bankomati.

Shpërthimi shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale, duke dëmtuar disa vitrina dyqanesh dhe automjete të parkuara në zonë.

Sipas informacionit që kanë autoritetet, shpërthimi ndodhi në orën 05:24 të mëngjesit në kryqëzimin e rrugëve Agios Dimitrios dhe Platonos.

Siç raportohet, autorja vendosi pajisjen shpërthyese dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes.

Megjithatë, pak kohë më vonë u kthye dhe po punonte me mekanizmin kur ai më në fund shpërtheu.

Një zyrtar i lartë i policisë deklaroi për agjencinë Reuters se “duket se ajo po mbante një mjet shpërthyes dhe synonte ta vendoste pranë bankës. Diçka shkoi keq dhe pajisja shpërtheu në duart e saj”.

Sipas agjencisë Associated Press, viktima ishte e njohur për policinë për përfshirjen e saj në grabitje të mëparshme.

Autoritetet greke janë duke hetuar mundësinë e lidhjes së saj me grupe ekstremiste të majta, të cilat kanë qenë aktive në të kaluarën me sulme të ngjashme.

Hetimet për rastin në Selanik janë ende në vijim, ndërsa autoritetet janë të përqendruara në identifikimin e kontakteve të viktimës dhe motiveve të saj të mundshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme