Rumania me kryeministër të përkohshëm, vendimi pas dorëheqjes së kreut properëndimor të qeverisë

Të martën presidenca në Rumani njoftoi se ministri i Brendshëm liberal, Catalin Predoiu, është emëruar si kryeministër i përkohshëm, post që pritet ta mbajë deri në balotazhin e 18 majit.
56-vjeçari ka shërbyer si kryeministër i përkohshëm edhe në vitin 2012.
Të hënën kryeministri rumun proevropian, Marcel Ciolacu, dha dorëheqjen. Vendimi erdhi pasi kandidati i ekstremit të djathtë, George Simion, fitoi të dielën raundin e parë të zgjedhjeve të përsëritura presidenciale, kurse rivali i tij nga koalicioni qeverisës u eliminua nga gara.
Presidenti i Partisë Socialdemokrate, Ciolacu, përmendi humbjen e Crin Antonescu, kandidatit të mbështetur nga qeveria e koalicionit, si argument për dorëheqjen.
Simion e fitoi raundin e parë të zgjedhjeve me rreth 41 për qind të votave. 38-vjeçari njihet si euroskeptik dhe mbështetës i presidentit amerikan Donald Trump. Më 18 maj ai do të përballet me Nicusor Dan, kryetarin e bashkisë së kryeqytetit, Bukureshtit, i cili doli i dyti në zgjedhje.
Presidenti i Rumanisë përfaqëson vendin në samitet e BE-së dhe NATO-s dhe mund të vërë veton në votimet e rëndësishme të Brukselit. Kreu i shtetit emëron gjithashtu kryeministrin dhe figura të tjera drejtuese.
Fitorja e ekstremit të djathtë në Rumani po ndiqet nga afër si nga Brukseli edhe nga Uashingtoni, pasi mund të shënojë një ndryshim në politikën e jashtme të Rumanisë. Vendi anëtar i BE-së dhe NATO-s luan një rol strategjik në krahun lindor të aleancës ushtarake pas nisjes së pushimit rus të Ukrainës.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




