Trump publikon video kundër Obamës – Gabbard akuzon ish-presidentin për manipulim të të dhënave të zgjedhjeve 2016

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, publikoi një video të krijuar me inteligjencë artificiale që mund të jetë provokuese për ish-presidentin Barack Obama. Videoja u shpërnda në platformën e Trumpit, “Truth Social”.
Ajo nis me një deklaratë të Obamës, i cili thotë se askush, përfshirë presidentin, nuk është mbi ligjin. Pas tij shfaqen edhe ish-presidenti Joe Biden dhe zyrtarë të tjerë të lartë që përsërisin këtë mesazh. Në sfond dëgjohet një muzikë që përdoret zakonisht në video që synojnë të hedhin dyshime.
Në pjesën e dytë të videos, e cila është qartë e manipuluar me inteligjencë artificiale, Trump dhe Obama shfaqen në një zyrë të Shtëpisë së Bardhë. Më pas, tre oficerë të FBI-së kapin Obamën dhe e largojnë nga ulësja, ndërsa Trumpi qesh. Në vijim, Obama shihet i burgosur dhe i veshur me rroba portokalli. Fillimisht, kjo video u përhap në “TikTok”, por Trumpi vendosi ta publikojë edhe në “Truth Social”.
Në fundjavë zhvillim tjetër, drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, paralajmëroi ndjekje penale ndaj ish-zyrtarëve të administratës Obama. Ajo akuzoi ata për politizim dhe manipulim të të dhënave të inteligjencës lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Gabbard deklasifikoi dokumente që sipas saj provojnë se këto të dhëna u përdorën për të justifikuar hetimet e FBI-së ndaj Trumpit. Këto ngjarje kanë shtuar tensionet politike në Shtetet e Bashkuara.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




