Ahengu shkodran 2026, kënga qytetare ruan traditën, bashkon brezat
Në oborrin e Muzeut Historik të Shkodrës, kënga qytetare dhe tingujt karakteristikë të ahengut sollën atmosferën e një mbrëmjeje tradicionale shkodrane.
Qendra Kulturore “Pjetër Gaci”, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër, organizoi aktivitetin “Ahengu Shkodran 2026”, duke bashkuar artistë të brezave të ndryshëm, të cilët interpretuan plot emocion trashëgiminë shpirtërore dhe muzikore të qytetit.
“Ky është një aktivitet që ka një klientelë shumë të zgjedhur, një klientelë shumë dashamirëse, që e do me gjithë shpirt artin, e do me gjithë shpirt këngën dhe, në veçanti, këngën qytetare shkodrane, të cilën e do shumë. Mund të theksoj se një ndër të veçantat është vazhdimësia te brezi i ri. Kjo, për mendimin tim, është një vazhdimësi dhe një ogur shumë i mirë për artin në përgjithësi në Shkodër”, u shpreh Ilir Zogaj, Drejtues i orkestrës.
Një nga synimet e aktivitetit është që kjo pasuri muzikore të mos mbetet vetëm pjesë e kujtesës, por të vazhdojë të këndohet.
Në skenën e “Ahengut Shkodran” u ngjitën edhe artistë të rinj, si dhe këngëtarë shkodranë që jetojnë jashtë Shqipërisë duke sjellë në skenë emocionet dhe dashurinë për muzikën e Shkodrës.
“Jam ndër pionierët e parë dhe është një kënaqësi që nuk mund ta përshkruaj. Shkodra buron. Asnjë qytet tjetër nuk e ka. Shkodra është djepi i kulturës. Shkodra është dashni”, u shpreh këngëtarja, Drita Tahja.
“Sot ka qenë hera e parë për mua që interpretoj një jare dhe ka qenë një eksperiencë shumë e bukur për mua, një emocion që nuk mundem ta përshkruaj me fjalë”, tha kwngetari, Ivan Tanushi.
Nga oborri i Muzeut Historik, kënga qytetare shkodrane dëshmoi edhe një herë se traditat nuk mbeten vetëm në kujtesë, por jetojnë përmes zërave që i këndojnë dhe brezave që zgjedhin t’i përcjellin më tej.
Gazetar: V. Omari
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





